Zonat mbrojtëse të aerodromit
Zonat mbrojtëse të aerodromit përfshijnë një seri sipërfaqesh që përcaktojnë hapësirën ajrore në dhe përreth aerodromit, që duhet mbajtur pa pengesa, për të mundësuar operimet e sigurta të avionëve dhe për të parandaluar ndërtimin e objekteve, të cilat do të ishin pengesë për funksionalitetin e aerodromit.
Zonat mbrojtëse të aerodromit përcaktohen nga operatorët e aeodromeve sipas Rregullores nr. 9/2018 mbi zonat mbrojtëse të aerodromit, në përputhje me standardet e kapitullit 4, të aneksit 14 të Konventës së Çikagos.
Me qëllim të mirëmbajtjës së sigurisë së aviacionit civil në Republikën e Kosovës, është mëse e rëndësishme që të gjitha subjektet juridike dhe personat fizikë, të cilët kanë në pronësi apo planifikojnë të ndërtojnë një objekt në afërsi të një aerodromi, të gjitha institucionet që sipas Ligjit nr. 04/L-110 për ndërtim janë përgjegjës për lëshimin e lejeve të ndërtimit, si dhe të gjithë operatorët e aerodromeve, duhet të bashkëpunojnë dhe të respektojnë procedurat të përshkruara në rregulloren mbi zonat mbrojtëse të aerodromit.
Me qëllim të përkrahjes dhe lehtësimit të implementimit të rregullorës nga ana e autoriteteve përgjegjëse, AAC-ja ka publikuar doracakun TP-03 “Zonat mbrojtëse të aerodromit”, i cili ofron udhëzime teknike për vlerësimin dhe përcaktimin e këtyre zonave.