Menaxhmenti i AAC-së
Bujar Ejupi
Bujar Ejupi është Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil. Në këtë pozitë është emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në qershor të vitit 2020.
Bujar Ejupi ka filluar punën në aeroport në vitin 2003 si Zyrtar për Shërbime të Informacionit Aeronautik (Aeronautical Information Services), ku ndër tjerash ka qenë përgjegjës për planet e fluturimeve, koordinimin e orareve (sllotave), publikimin e informacioneve aeronautike, Notice to Airmen (NOTAM), SNOTAM, Aeronautical Reporting Office (ARO) etj. Në vitin 2006 është promovuar fillimisht duke kaluar në pozitën Zyrtar për burime njerëzore dhe administratë, pastaj në pozitën Zyrtar për marketing, dhe në vitin 2009 në pozitën Zëvendës Drejtor komercial. Gjatë angazhimit si Zëvendës Drejtor në Departamentin Komercial, z. Ejupi ka treguar suksese të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë që aeroporti të orientohet nga tregu dhe të arrij rritje të vazhdueshme komerciale.
Detyrat si Zv. Drejtor Komercial kanë qenë: planifikimi strategjik i aeroportit, parashikimi i të hyrave, hulumtimi i tregut, hartimi i strategjive për tërheqjen e kompanive ajrore, plani i marketingut, hartimi i planit të biznesit për aeroportin, bashkëpunimi me kompani ajrore, përcaktimi i tarifave dhe çmimeve për të gjitha shërbimet e aeroportit, mbikëqyrja e të hyrave, bashkëpunimi me Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës, zhvillimi i produkteve të reja komerciale, negociimi dhe draftimi i marrëveshjeve me kompani ajrore, etj. Pozitën e Zv. Drejtorit Komercial e ka mbajtur në ndërmarrjen publike deri në vitin 2011, pastaj e ka vazhduar në kompaninë private koncesionuese “Limak Kosovo International Aeroport J.S.C.” deri në vitin 2014.
Në qershor të vitit 2016 z. Ejupi është emëruar si Zëvendës Drejtor në Agjencinë për Shërbime të Navigacionit Ajrore (ASHNA) ku ka shërbyer deri në janar 2018.
Ejupi ka të përfunduar studimet master në Kolegjin RIINVEST në drejtimin menaxhment, dhe masterin e dytë në Rochester Institute of Technology (RIT) ku si temë të diplomës ka pasur “Zgjerimi i kapaciteteve të Aeroportit dhe niveli i shërbimeve për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”.
Është bashkë-autor i raportit analitik dhe hulumtues mbi ecurinë dhe rezultatet e koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” (ANP) si dhe disa hulumtimeve tjera në fusha të ndryshme.
Z. Ejupi gjithashtu ka ndjekur një varg trajnimesh profesionale nga Icelandic Civil Aviation Administration, British Aviation Authority, UNMIK-Civil Aviation Regulatory Office, Highlands and Islands Airport Limited, International Air Transport Association (IATA), Airports Council International (ACI), Services and Studies for Air Navigation and Aeronautical Safety (SENASA), Eurocontrol.
Përveç përvojës në fushën e aviacionit, z. Ejupi ka punuar dhe si menaxher i projekteve, CEO, konsulent, trajner dhe ligjërues në organizata te ndryshme ndërkombëtare dhe lokale.
Burim Dinarama
Burim Dinarama është Drejtor i Departamentit të Aerodromeve. Në këtë pozitë është emëruar në shtator te vitit 2011. Z. Dinarama është punësuar në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës që nga themelimi i tij në vitin 2009,ndërsa më herët ka punuar në Zyrën Rregullatore të Aviacionit civil nga viti 2006. Eksperiencën e parë në fushën e aviacionit civil e filloi prej vitit 2001 kur deri nëvitin 2004 ka qenë përgjegjës për zbatimin e projekteve kryesore të infrastrukturës në Aeroportin Ndërkombëtar te Prishtinës. Para kësaj kohe ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e ndërtimit, kryesisht në ndërtimin e rrugëve dhe urave në projekte të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës. Është bartës i shumë proceseve të rëndësishme në Departamentin e Aerodromeve siç është certifikimi i Aeroportit të Prishtinës,certifikimi i ofruesve të shërbimeve në tokë, certifikimi i furnizuesit me karburant, aprovimi i heliportit të parë në Kosovë etj. Është i diplomuar si inxhinier i ndërtimit në Universitetin e Prishtinës.
Besnike Ukmata
Besnike Ukmata është Drejtoreshë e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik në Autoritetin e Aviacionit Civil që nga themelimi i tij në vitin 2009. Përgjegjësi të ngjashme ka ushtruar edhe në kuadër të Zyrës Rregullatore të Aviacionit Civil prej vitit 2005-2008. Dy vite (2003-2005) ka punuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ka shërbyer, mes tjerash edhe si Menaxhere e projektit për korporatizimin e aeroportit si dhe Sekretare e kompanisë. Është e magjistruar në menaxhimin e biznesit në aviacion, në Universitetin e Danubit, Austri dhe ka ndjekur një numër të madh të trajnimeve profesionale në institucione ndërkombëtare për trajnime në fushën e aviacionit. Asaj i janë deleguar nga Drejtori i Përgjithshëm përgjegjësitë e Zyrtarit për Integrime Evropiane në AAC. Znj. Ukmata është pikë fokale e Komisionit Evropian në Republikën e Kosovës lidhur me obligimet dhe zbatimin e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit në vendin tonë.
Kushtrim Musa
Kushtrim Musa është Drejtor i Departamentit të Sigurisë së Fluturimeve. Në këtë pozitë është emëruar në janar të vitit 2009. Z. Musa me profesion është pilot profesional dhe instruktor i fluturimeve i diplomuar në North American Institute of Aviation në Karolinën Jugore në SHBA në vitin 1998. Në karrierën e tij të pilotit profesional ka arritur të akumuloj 2000 orë fluturimi me Fulton Flight Services Inc. me seli në Atlanta. Prej vitit 2000 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e aviacionit civil. Në vitin 2003 ka marrë diplomë në menaxhimin e aviacionit civil nga Asociacioni i Transportit Ajror Ndërkombëtar (IATA) në Montreal, Kanada. Në vitin 2005 z. Musa certifikohet si Menaxher profesional i sigurimit të aviacionit (AVSEC PM) nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) dhe Universiteti Concordia në Montreal, Kanada. Në vitin 2006 ai emërohet Shef i standardeve të fluturimit dhe sigurimit të aviacionit civil në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil. Në vitin 2012 emërohet në pozitën e Sekretarit të Komisionit Kombëtar të Sigurimit të Aviacionit Civil nga Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës.
Lendita Kika
Lendita Kika-Berisha është Drejtoreshë e Departamentit të Sigurisë dhe Cilësisë në Autoritetin e Aviacionit Civil. Është auditore e certifikuar ndërkombëtarisht sipas ISO 9001:2015 për sistem të menaxhimit të cilësisë si dhe mbanë kredencialet e AAC-së për inspektor të aerodromeve. Para se të themelohet njësia për siguri dhe cilësi në AAC, znj. Kika Berisha ka qenë drejtor i Departamentit të Aerodromeve për pesë vite. Prej vitit 2005 është e punësuar në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil, në Departamentin e Aerodromeve.
Përvoja paraprake shënon pesë vite në industrinë e aviacionit, duke qenë e punësuar për tri vite në kompaninë ajrore Swiss International Airlines si zëvendës menaxher i përfaqësisë në Kosovë, një vit në Austrian Airlines dhe një vit në Departamentin e Operimeve Ajrore dhe Kontrollit të Lëvizjes në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Është e magjistruar në administrim biznesi të aviacionit, në Universitetin e Danubit në Austri dhe ka ndjekur trajnime të shumta në aviacion dhe për standardet ISO në institute ndërkombëtare të trajnimit, si: IATA, UKCAA, Singapore Aviation Academy, JAA TO, Swiss Aviation Academy, TUV etj.
Arianit Islami
Arianit Islami është Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Ai është një profesionist më përvojë të gjerë mbi 20 vjeçare në aviacion, të përcjellë me përgatitje të shquar akademike. Prej vitit 1999 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme si zyrtar i lartë në sektorin e aviacionit civil, fillimisht në pozita të ndryshme në industri, e pastaj në anën e rregullatorit ku ka mbajtur edhe pozitën e Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Si ekspert i lëmisë, nga viti 2009 ishte angazhuar si ligjërues i lëndës “Sistemet e Menaxhimet të Sigurisë (SMS)”, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, pastaj edhe si ligjërues në progamin “Advanced Master Safety Management in Aviation” të organizuar nga Universiteti i Aviacionit Civil të Francës (ENAC) . Z. Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit. Aktualisht është kandidat për doktoraturë në Laboratorin e ENAC dhe Universitetin Paul Sabatier në Tulluz, Francë. Z. Islami, gjithashtu ka ndjekur një varg trajnimesh profesionale ne aviacion. Në vitin 2003 ka marrë diplomë me lëvdatë në menaxhimin e shërbimeve të navigacionit ajror dhe diplomë në menaxhimin e aviacionit civil nga Instituti i Aviacionit për Trajnim dhe Zhvillim (IATA) me qendra në Montreal, Gjenevë dhe Singapor. Poashtu është i certifikuar si auditor i sigurisë nga Instituti i EUROCONTROL-it për Shërbime të Navigacionit Ajror si dhe ka përfunduar me sukses të gjitha trajnimet e kërkuara për kryerjen e punëve për të cilat është përgjegjës. Nga viti 2009 është pjesë e ekipit auditues për certifikimin e ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror dhe verifikimin e implementimit të sistemeve të menaxhimit të sigurisë. Në këtë cilësi ka qenë i ftuar të marrë pjesë në auditime edhe në vendet në rajon, përkatësisht në Shqipëri dhe Maqedoni, në kuadër të marrëveshjeve rajonale, si dhe ndërkombëtarisht në Francë dhe Polinezinë Franceze, në kuadër të projektit të binjakëzimit.
Hysa Matoshi
Hysa Matoshi është Drejtoreshë e Departamentit të Administratës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës. Në këtë pozitë është emëruar në qershor të vitit 2017.
Studimet Universitare i përfundoi në Kolegjin “Fama” në Prishtinë në Fakultetin Juridik drejtimi Kriminalistikë në vitin 2009 dhe mori titullin Bachelor i Kriminalistikës.
Studimet pasuniversitare Master i kreu në Kolegjin Universitar “Fama” në Prishtinë në Fakultetin Juridik drejtimi Juridiko-Penal në vitin 2013.
Në vitin 2016 përfundoi provimin e Jurisprudencës.
Nga viti 2002 deri në vitin 2017 punoi në Policinë e Kosovës, fillimisht si zyrtar policor, pastaj në vitin 2004 u gradua në gradën Rreshter, në vitin 2006 u gradua me gradën Toger, dhe në vitin 2013 u gradua në gradën Kapiten. Gjatë kësaj periudhe ka mbajt pozita të ndryshme në kudër të Policisë së Kosovës, pozita e fundit ka qen Shef i Sektorit për Zhvillimin e Trajnimeve.
Gjatë kësaj periudhe të punës në Policinë e Kosovës ka përfunduar një numër të konsiderueshëm të kurseve dhe trajnimeve, duke filluar nga ato bazike, të avancuara e deri te ato më të specializuara dhe menaxheriale.
Po ashtu nga Policia e Kosovës është shpërblyer me Mirënjohje për punë individuale, Mirënjohje për punë grupore, Medalje Policore për Lavdim, Medalje për shërbim të Besnikërisë, gjithashtu nga Kolegji Universitar Fama është shpërblyer me Mirënjohje për rezultat të dalluar gjatë studimeve.