Shërbimet e navigacionit ajror (SHNA)


Termi “shërbime të navigacionit ajror” përdoret për të përshkruar grupin e shërbimeve që i ofrohen fluturakeve në ajër për t’i mundësuar fluturim të sigurt nga një destinacion në tjetrin.

 

Shërbimi i kontrollit të trafikut ajror (KTA)

Shërbimi i kontrollit të trafikut ajror është shërbim që ofrohet nga zyrtarë të licencuar të KTA-së me qëllim të:

  • Evitimit të përplasjeve:
    • mes fluturakeve
    • në hapësirën manovruese, mes fluturakeve dhe pengesave; si dhe
  • Përshpejtimit dhe mirëmbajtjes së rrjedhës së trafikut ajror.

 

Shërbimi i komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit (KNV)

Shërbimi i komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit është shtylla teknike e sistemit të Menaxhimit të Trafikut Ajror (MTA). Ky shërbim përkujdeset për planifikimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve teknike që përdoren nga KTA-të për ofrimin e shërbimit të kontrollit të trafikut ajror.

Shërbimi i komunikimit është përgjegjës për sistemet komunikuese të zërit dhe të të dhënave që përdoren për komunikim tokë-ajër mes pilotëve dhe KTA-ve dhe për komunikim midis njësive të KTA-së dhe personave tjerë relevantë.

Shërbimi i navigimit është përgjegjës për pajisjet naviguese të instaluara në tokë, të cilat mundësojnë navigimin efikas dhe të sigurt të fluturakeve në ajër. Këto pajisje vazhdimisht transmetojnë radio sinjale që ndihmojnë fluturaket të përcaktojnë pozitën e tyre në hapësirë, pavarësisht kushteve meteorologjike. Pajisjet naviguese luajnë rol kritik sidomos në sistemet për aterrim me anë të instrumenteve (ILS), të cilat i mundësojnë fluturakeve të aterrojnë bazuar vetëm nga sinjalet e transmetuara nga këto pajisje.

Shërbimi i vëzhgimit është përgjegjës për sistemet e vëzhgimit, të cilat i ofrojnë KTA-së paraqitjen vizuale të fluturakeve që fluturojnë nëpër hapësirën ajrore nën kontroll. Sistemet tradicionale të vëzhgimit, siç janë radarët primarë dhe sekondarë, janë ende sistemet që preferohen më shumë nga Ofruesit e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (OSHNA). Megjithatë, sistemet bashkëkohore, të cilat bazohen në sinjale satelitore, siç janë ADS-B dhe MLAT, kanë filluar të instalohen me të madhe në aeroportet evropiane.

 

Shërbimi i informatave aeronautike (SHIA)

Qëllimi i shërbimit të informatave aeronautike  është të sigurojë rrjedhën e informatave/të dhënave aeronautike të nevojshme për sigurinë, rendin, ekonominë dhe efikasitetin e navigacionit ajror ndërkombëtar. SHIA është përgjegjës për mbledhjen/sistemimin, redaktimin, formatimin, publikimin dhe distribuimin e të dhënave aeronautike te pilotët, njësitë KTA dhe palët tjera relevante. Të dhënat aeronautike, varësisht nga natyra e informatës, publikohen dhe distribuohen nëpërmjet këtyre dokumenteve kyçe:

  • Publikimit të Informatave Aeronautike (AIP)
  • NOTAM-ëve
  • Qarkoreve të Informatave Aeronautike (AIC)
  • Buletineve Informative të Para-Fluturimit (PIB)

 

AIP e Kosovës

 

Shërbimi meteorologjik

Shërbimi meteorologjik u ofron informata mbi kushtet meteorologjike përdoruesve të hapësirës ajrore, njësive KTA dhe palëve tjera relevante. Ky shërbim ofron raporte vëzhguese të motit, siç janë METAR, SPECI, etj., dhe raporte parashikuese të motit, siç janë TAF dhe SIGMET. Shërbimi meteorologjik gjithashtu ofron paralajmërime dhe informata tjera të rëndësishme meteorologjike në lidhje me kushtet klimatike që mund të ndikojnë fluturaket në ajër dhe tokë, ndërtesat dhe pajisjet e aeroporteve, shërbimet e aeroporteve dhe fluturaket në pistë.

Rregulloret


01-2022 për ndryshimin e Rregullores (AAC) nr. 01/2020, Rregullores (AAC) nr. 17/2017 dhe Rregullores (AAC) nr. 09/2020 në lidhje me kërkesat për menaxhimin e trafikut ajror/shërbimet e navigimit ajror, projektimin e strukturave të hapësirës ajrore dhe cilësinë e të dhënave, sigurinë e pistës dhe shfuqizimin e Rregullores (AAC) nr. 08/2015
08-2021 për ndryshimin e Rregullores së AAC-së 07/2018 që përcakton kërkesat për identifikimin e avionëve për survejim për qiellin e vetëm evropian dhe Rregullores së AAC-së 03/2018 duke vendosur kërkesat për performancën dhe ndërveprimin e survejimit për qiellin e vetëm evropian
09-2020 Për përcaktimin e kërkesave të përbashkëta për ofruesit e shërbimeve të menaxhimit të trafikut ajror/navigimit ajror dhe funksioneve tjera të rrjetit të menaxhimit të trafikut ajror dhe mbikëqyrjen e tyre
02-2020 Përcaktimi i kërkesave të përdorimit të hapësirës ajrore dhe procedurat e operimit në lidhje me navigimin e bazuar në performancë
01-2020 Vendosja e rregullave të përbashkëta ajrore dhe dispozitave operacionale në lidhje me shërbimet dhe procedurat në navigimin ajror dhe ndryshimin e Rregullores (AAC) 07/2012, Rregullores (AAC) 03/2016, Rregullores (AAC) 15/2010 dhe Rregullores (AAC) 08/2017
07-2018 E cila përcakton kërkesat për identifikimin e avionëve për survejim për qiellin e vetëm evropian
03-2018 Për përcaktimin e kërkesave për performancën dhe interoperatibilitetin e mbikëqyrjes (survejimit) për qiellin e vetëm evopian

Publikimet Teknike


TP 14 SAM – Preliminary System Safety Assessment

Formularët


Tarifat


Raportet


Kontaktet