Lajme U mbajt takim me përfaqësues të Federatës Aeronautike


22/07/2020

Sot Drejtori i përgjithshëm i AAC-së z. Bujar Ejupi me bashkëpunëtorë ka takuar përfaqësues të Federatës Aeronautike të Kosovës (FAK).

Z. Ejupi u ka shprehur ngushëllime përfaqësuesve të Federatës për humbjen e shokut të tyre F.G. gjatë aksidentit aeronautik i cili ka ndodhur ditën e diel pas përplasjes me një paraglajdiste tjetër gjatë aterrimit.

Përfaqësuesit e FAK kanë shpjeguar rrethanat e aksidentit dhe kualifikimet e pilotit i cili ishte në proces të licencimit.

Z. Ejupi ka thënë se siguria e të gjitha fluturimeve është njëjtë me rëndësi për AAC-në. Përfaqësuesit e Federatës kanë kërkuar rritjen e bashkëpunimit me AAC-në. Pastaj të dyja palët kanë diskutuar disa përmirësime të mundshme për rregullimin e fushës dhe sqarimet e nevojshme të rregullores së aplikueshme.

Drejtori Ejupi ka marrë angazhim që të shtohet numri i zonave të paraaprovuara në mënyrë që fluturimet me paraglajd të kryhen në këto zona.

Drejtori Ejupi ka kërkuar që fluturimet me paraglajd të pezullohen që t’i jepet kohë adresimit të çështjeve të ngritura dhe rekomandimeve të cilat do t’i nxjerrë Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA). Palët janë pajtuar që kjo të bëhet për një muaj ndërsa përfaqësuesit e FAK kanë shprehur gatishmëri që të punojnë me AAC-në në këtë proces.

Në Kosovë ka 37 pilotë të licencuar të paraglajdit, anëtarë të Federatës. Përfaqësuesit e FAK kanë shpjeguar se në 3 vitet e fundit ka pasur rritje të interesimit për t’u marrë me këtë sport aeronautik.