Lajme U mbajt takim me kryesinë e Federatës Aeronautike


20/08/2020

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës z. Bujar Ejupi sot priti në takim pune kryesinë e Federatës Aeronautike të Kosovës.

Në këtë takim u diskutua rreth hapave të ndërmarrë nga ana e AAC-së lidhur me aktivitetet aeronautike të aviacionit të përgjithshëm në hapësirën e ulët ajrore të Republikës së Kosovës me fokus të veçantë në operimet me deltaplan dhe paraglajd.

Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së njoftoi kryesinë e Federatës rreth progresit të projekt rregullores e cila plotëson-ndryshon rregulloren aktuale për këtë fushë, takimeve të ndërmarra me akterët tjerë me përgjegjësi siç janë KFOR-i, Asociacioni i Komunave të Kosovës, etj. si dhe publikimeve të sigurisë rreth këtyre aktiviteteve.

Palët u dakorduan që niveli i bashkëpunimit mes dy institucioneve të ngritët edhe më tej në nivel të takimeve të punës, punëtorive dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, e të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e vazhdueshëm të aktiviteteve aeronautike të aviacionit të përgjithshëm në vendin tonë.