Lajme Takimi i Komitetit Për Programin Shtetëror të Sigurisë në Aviacion


30/07/2020

Në kuadër të takimeve të rregullta gjysmë vjetore, sot u mbajt takimi i Komitetit për Programin Shtetëror të Sigurisë në Aviacion për Republikën e Kosovës, i thirrur nga Kryesuesi i këtij komiteti, Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, z. Ejupi. 

Në takim u diskutuan tema aktuale si ndikimi i situatës pandemike në operimet e institucioneve aeronautike në vendin tonë si dhe në operime të transportit ajror në përgjithësi. U diskutua edhe mbi ndikimin që ka kjo situatë në gjendjen financiare të operatorëve dhe institucioneve me përgjegjësi në aviacionin civil. U morën vendime për veprime të përbashkëta në zbatim të Programit Shtetëror të Sigurisë, të cilat monitorohen për zbatim nga Komiteti në vazhdimësi.

Pjesëmarrës në takim, përveç AAC-së, ishin kryesuesit e institucioneve me rol në sigurinë e aviacionit civil, njëherësh anëtarë të Komitetit, Ministria e Infrastrukturës me Departamentin e Aviacionit Civil, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave-AME, Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike-KHAIA dhe Agjencia për Shërbimin e Navigacionit Ajror-ASHNA.

Komiteti funksionon nga viti 2016 kur është emëruar nga Qeveria e Republikë së Kosovës për të shërbyer si një forum i nivelit të lartë që do të koordinonte veprimet e nevojshme në nivel shteti për të zbatuar Programin Shtetëror të Sigurisë së aviacionit në vendin tonë.