Lajme Përfitimet e Republikës së Kosovës nga normalizimi i hapësirës ajrore të saj


07/09/2020

Hapësira e ulët ajrore e Republikës së Kosovës shtrihet nga toka deri në lartësi 6,250 metra. Kjo hapësirë kontrollohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror e Kosovës (ASHNA), nën mbikëqyrjen rregullatore të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Shërbimet në këtë hapësirë përfshijnë të gjitha fluturimet për në dhe nga ANP “Adem Jashari”, fluturimet ushtarake të KFOR-it në Kosovë dhe fluturimet e aviacionit të përgjithshëm (fluturime me avionë të vegjël, që nuk përdoren për transport komercial të udhëtarëve).

Që nga përfundimi i luftës, fluturimet civile mund të hyjnë dhe dalin nga Kosova vetëm përmes korridorit ajror që e lidhin vendin tonë me Maqedoninë. P.sh. një aeroplan që fluturon nga Vjena në Prishtinë, duhet të bëjë një rrugë rreth 250 km apo 15-20 minuta më të gjatë, sepse është i detyruar të fluturojë përmbi Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni për të hyrë në Kosovë. Korridoret ajrore me shtetet tjera fqinje janë të mbyllura dhe nuk janë të autorizuara për fluturime civile.

Normalizimi i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, ndër të tjera, do të përfshinte hapjen e korridoreve të reja ajrore midis Republikës së Kosovës dhe të gjitha vendeve fqinje (Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë), që do të shërbenin për të gjithë avionët që fluturojnë në ANP “Adem Jashari”. Korridoret e reja ajrore do ta ulnin koston e operimit për kompanitë ajrore, që rrjedhimisht, do të duhej të reflektohej në bileta më të lira për udhëtarët tanë.

Ky normalizim do të mundësonte edhe mbikalimin transit nëpër hapësirën tonë të ulët ajrore të shumë avionëve që fluturojnë në aeroportet tjera të rajonit (p.sh. Tirana, Podgorica, Shkupi, Selaniku, Nishi). Nga kjo do të ketë përfitime të ndjeshme financiare për Agjencinë tonë të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, pasi që parashikohet që me normalizimin e hapësirës sonë të ulët ajrore, në këtë pjesë të hapësirës tonë do të mbikalonin rreth 12-15 mijë fluturime në vit. Përveç kësaj, rrugët më të shkurtra ajrore do ta bëjnë ANP “Adem Jashari” më konkurrent në rajon dhe më joshës për kompanitë ajrore për shkak të kostos më të ulët të operimit. Përveç kësaj, normalizimi do ta stimulojë zhvillimin e aviacionit të përgjithshëm në vendin tonë dhe shfrytëzimin pa kufizime të Aeroportit të Gjakovës, mes tjerash, edhe për shkolla të fluturimit.

Sa i përket dëmeve që bëhen nga mbyllja e hapësirës së ulët ajrore, EUROCONTROL ka vlerësuar përmes një studimi të mëhershëm se rreth 28 fluturime nga/në Prishtinë do të përfitojnë çdo ditë nga hapja e kësaj hapësire. Për këto fluturime, priten kursimet e përditshme si më poshtë:

• 3700 milje nautike, d.m.th. 132 milje nautike/fluturim
• 20 ton karburant
• 65 ton CO2
Për flukset e trafikut, kursimet janë si më poshtë:
• Fluturimet në/nga Kroacia/Sllovenia/Hungaria/Austria – përafërsisht 200 milje nautike /fluturim
• Fluturimet në/nga destinacione të tjera në Evropën Perëndimore – përafërsisht 100 milje nautike /fluturim.

Një kompani ajrore ka llogaritur se shpenzimet shtesë në operimet e tyre nga Evropa Qendrore për në Prishtinë për shkak të situatës aktuale arrijnë shumën rreth 500,000 euro në vit.

Kostot më të larta për kompanitë ajrore përfundimisht barten tek udhëtarët përmes biletave më të larta. Poashtu, udhëtari kosovar mund të jetë i privuar nga mundësia për të udhëtuar në më shumë destinacione sepse për kompanitë ajrore Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës mund të jetë më pak atraktiv për shkak të kostove shtesë të përmendura më lartë.

Pas hapjes së hapësirës së lartë ajrore të Republikës së Kosovës për fluturime civile transit më 2014, NATO-ja ka filluar përgatitjet për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, në bashkëpunim me BE-në dhe organizatat ndërkombëtare dhe pan-Evropiane të aviacionit.

Si hap i parë në normalizimin e hapësirës së ulët ajrore, me qëllim të caktimit të pikave-hyrëse dhe dalëse dhe transferit të aeroplanëve në fluturim midis Kosovës dhe vendeve fqinje, kërkohet hartimi dhe zbatimi i marrëveshjeve midis Agjencisë kosovare të Shërbimeve të Navigacionit Ajror me agjencitë homologe fqinje (Albcontrol – Shqipëri, M-NAV – Maqedoni, SMATSA – Serbi dhe Mal i Zi), në koordinim të ngushtë me ICAO-n dhe EUROCONTROL-in. NATO-ja udhëheq dhe lehtëson këtë proces. Me Albcontrol veç është nënshkruar një Letër Marrëveshje në qershor 2020.