Lajme NJOFTIM PËR VONESEN E FLUTURIMIT TË KOMPANISË AJRORE ALK AIRLINES DT. 24 KORRIK 2019


26/07/2019

Më 24 korrik 2019, aeroplani i kompanisë ajrore ALK Airlines (ALK JSC) me regjistrimin LZ-MVK, gjatë fazës së nisjes së fluturimit nga Shtutgarti për në Prishtinë (nr. i fluturimit VBB3208), ka pësuar një rrjedhje të lëngut hidraulik nga aktivizuesi i spoilerit të fluturimit në krahun e djathtë. Ekuipazhi i fluturimit e ka ndërprerë nisjen dhe ka kthyer aeroplanin në platformë duke i zbritur të gjithë udhëtarët nga aeroplani, ndërsa kompania ajrore është munduar ta riparojë defektin e shkaktuar. Mekanikët e angazhuar nga kompania kanë rregulluar defektin dhe përfundimisht, aeroplani është nisur nga Shtutgarti rreth orës 18:40 dhe ka arritur në Prishtinë në orën 20:24, me një vonesë të përgjithshme prej 6 orësh e 24 minutash.

Të nesërmen, më 25 korrik 2019, inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës kanë kryer një inspektim SAFA (inspektim në platformë i mjeteve ajrore të operatorëve të huaj) të aeroplanit LZ-MVK të ALK Airlines, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Gjatë këtij inspektimi, inspektorët nuk kanë konstatuar ndonjë gjetje që do të ndikonte në sigurinë e këtij mjeti ajror për fluturim.

AAC është në dijeni për pakënaqësitë e udhëtarëve për situatën e krijuar lidhur me vonesën e fluturimit VBB3208 të kësaj kompanie ajrore për të cilat shprehim keqardhje, por njëkohësisht i informojmë të gjithë udhëtarët se sipas legjislacionit në fuqi mund të kërkojnë kompensim nga kompania ajrore për vonesën e shkaktuar.