Lajme Në Prishtinë u mbajt punëtoria ndërkombëtare “Dizajnimi dhe optimizimi i hapësirës ajrore”
15/09/2016
Autoriteti i Aviacionit Civil me mbështetje të TAIEX ka organizuar një punëtori ndërkombëtare me temë “Dizajnimi dhe optimizimi i hapësirës ajrore”, i cili është mbajtur më 13-15 shtator, në Prishtinë.
Kjo punëtori është organizuar për të ofruar njohuri të avansuara mbi organizimin e hapësirës ajrore për profesionistë nga industria dhe rregullatori në fushën e aviacionit civil. Në këtë punëtori morën pjesë Autoriteti i Aviacionit Civil, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, si dhe përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Hungaria dhe Republika Çeke.
Temat nga fusha e dizajnimit të hapësirës ajrore u prezantuan nga profesorë dhe ekspertë me përvojë të gjatë nga Universiteti i Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në Tuluz, ofruesi hungarez i shërbimeve të navigacionit ajror HungaroControl, Universiteti Teknik i Pragës në Republikën Çeke dhe ofruesi çek i shërbimeve të navigacionit ajror.
Disa nga temat që u shtjelluan në punëtori ishin: vlerësimi dhe dizajnimi i sektorëve dhe rrugëve ajrore, koncepti i rrugëve të lira krahasuar me korridoret ajrore, navigimi i bazuar në performancë dhe sistemi point merge, dizajnimi i trajektoreve dhe trajektoret i4D si dhe sistemi ACDM për aeroporte.
Në nivel global, trafiku ajror ka përjetuar rritje konsistente përgjatë viteve të fundit, dhe ky trend pritet të vazhdojë. Hapësira ajrore evropiane, në organizimin e saj të tanishëm, vështirë se ka kapacitet të pranojë fluksin e fluturimeve i cili pritet të rritet në të ardhmen. Prandaj, riorganizimit të hapësirës ajrore dhe optimizimit të saj po i kushtohet një rëndësi e veçantë nga profesionistët.
Pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur me punëtorinë dhe cilësinë e prezantimeve dhe temave të shtjelluara. Ekspertët poashtu ishin të kënaqur me nivelin e interesimit dhe profesionalizimit të treguar nga pjesëmarrësit.