Lajme Ministri Lekaj u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Kosovës


26/12/2017

Ministri Lekaj, në një takim të rregullt pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Kosovës, z. Dritan Gjonbalaj, përveç tjerash ka diskutuar edhe për sigurinë e aviacionit civil. Ministri Lekaj kërkoi nga Drejtori Gjonbalaj zbatimin e standardeve të sigurisë së aviacionit civil në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq z. Gjonbalaj ia konfirmoi edhe një herë Ministrit Lekaj se siguria e aviacionit civil është në nivel me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Republika e Kosovës i  zbaton me përpikëri të gjitha kërkesat që dalin nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët të Aviacionit (HPEA) lidhur me sigurinë e aviacionit civil.

Gjonbalaj tha se që nga viti 2009 janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të hyrë në aranzhime kontraktuale me Agjencinë Evropian për Siguri të Aviacionit (EASA), në mënyrë që të krijohet baza ligjore për auditime dhe inspektime të rregullta të sigurisë së aviacionit civil njëjtë si në të gjitha shtetet e rajonit pjesë e HPEA-së. Edhe pse këto aranzhime nuk janë krijuar deri më tani, me kërkesë të AAC-së, vitin e kaluar EASA ka bërë një auditim gjithëpërfshirës në fushën e sigurisë së shërbimeve të navigacionit ajror, duke përfshirë këtu Agjencinë për Shërbime të Navigacionit Ajror dhe AAC-në. Raporti i EASA-së nuk ka nxjerrë asnjë shqetësim të sigurisë. Të gjitha çështjet dhe observimet e ngritura gjatë auditimit të EASA-s janë trajtuar dhe mbyllur me sukses.