Menaxhmenti i AAC-së


 

Arianit Islami

Arianit Islami është emëruar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Deri më tani ka qenë Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, pozitë të cilën e ka mbajtur që nga viti 2005. Ai është një profesionist me përvojë të gjerë mbi 20 vjeçare në aviacion, të përcjellë me përgatitje të shquar akademike. Z. Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit.  Në vitin 2023, ka doktoruar në Laboratorin e ENAC dhe Universitetin Paul Sabatier në Tulluz, Francë në lëminë e menaxhimit të trafikut ajror.

Si ekspert i lëmisë, ka qenë i angazhuar si ligjërues i lëndës “Sistemet e Menaxhimet të Sigurisë (SMS)”, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”. Aktualisht është ligjërues në progamin “Advanced Master Safety Management in Aviation” në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC). Z. Islami, gjithashtu ka ndjekur një varg trajnimesh profesionale ne aviacion. Është i certifikuar si auditor i sigurisë nga Instituti i EUROCONTROL-it për Shërbime të Navigacionit Ajror (IANS). Nga viti 2009 është pjesë e ekipit auditues për certifikimin e ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror dhe verifikimin e implementimit të sistemeve të menaxhimit të sigurisë. Në këtë cilësi ka qenë i ftuar të marrë pjesë në auditime edhe në vendet në rajon, përkatësisht në Shqipëri dhe Maqedoni, në kuadër të marrëveshjeve rajonale, si dhe ndërkombëtarisht në Francë dhe Polinezinë Franceze, në kuadër të projektit të binjakëzimit.

Tel: 038/ 200 74 250
Arianit.Islami@caa-ks.org

Kushtrim Musa

Kushtrim Musa është Drejtor i Departamentit të Sigurisë së Fluturimeve. Në këtë pozitë është emëruar në janar të vitit 2009. Z. Musa me profesion është pilot profesional dhe instruktor i fluturimeve i diplomuar në North American Institute of Aviation në Karolinën Jugore në SHBA në vitin 1998. Në karrierën e tij të pilotit profesional ka arritur të akumuloj 2000 orë fluturimi me Fulton Flight Services Inc. me seli në Atlanta. Prej vitit 2000 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e aviacionit civil. Në vitin 2003 ka marrë diplomë në menaxhimin e aviacionit civil nga Asociacioni i Transportit Ajror Ndërkombëtar (IATA) në Montreal, Kanada. Në vitin 2005 z. Musa certifikohet si Menaxher profesional i sigurimit të aviacionit (AVSEC PM) nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) dhe Universiteti Concordia në Montreal, Kanada. Në vitin 2006 ai emërohet Shef i standardeve të fluturimit dhe sigurimit të aviacionit civil në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil. Në vitin 2012 emërohet në pozitën e Sekretarit të Komisionit Kombëtar të Sigurimit të Aviacionit Civil nga Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës.

Tel: 038/ 200 74 255
Kushtrim.Musa@caa-ks.org

Lendita Kika

Lendita Kika-Berisha është Drejtoreshë e Departamentit të Sigurisë dhe Cilësisë në Autoritetin e Aviacionit Civil. Është auditore e certifikuar ndërkombëtarisht sipas ISO 9001:2015 për sistem të menaxhimit të cilësisë si dhe mbanë kredencialet e AAC-së për inspektor të aerodromeve. Para se të themelohet njësia për siguri dhe cilësi në AAC, znj. Kika Berisha ka qenë drejtor i Departamentit të Aerodromeve për pesë vite. Prej vitit 2005 është e punësuar në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil, në Departamentin e Aerodromeve.

Përvoja paraprake shënon pesë vite në industrinë e aviacionit, duke qenë e punësuar për tri vite në kompaninë ajrore Swiss International Airlines si zëvendës menaxher i përfaqësisë në Kosovë, një vit në Austrian Airlines dhe një vit në Departamentin e Operimeve Ajrore dhe Kontrollit të Lëvizjes në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Është e magjistruar në administrim biznesi të aviacionit, në Universitetin e Danubit në Austri dhe ka ndjekur trajnime të shumta në aviacion dhe për standardet ISO në institute ndërkombëtare të trajnimit, si: IATA, UKCAA, Singapore Aviation Academy, JAA TO, Swiss Aviation Academy, TUV etj.

Tel: 038/ 200 74 254
Lendita.Kika@caa-ks.org

Besnike Ukmata

Besnike Ukmata është Drejtoreshë e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik në Autoritetin e Aviacionit Civil që nga themelimi i tij në vitin 2009. Përgjegjësi të ngjashme ka ushtruar edhe në kuadër të Zyrës Rregullatore të Aviacionit Civil prej vitit 2005-2008. Dy vite (2003-2005) ka punuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ka shërbyer, mes tjerash edhe si Menaxhere e projektit për korporatizimin e aeroportit si dhe Sekretare e kompanisë. Është e magjistruar në menaxhimin e biznesit në aviacion, në Universitetin e Danubit, Austri dhe ka ndjekur një numër të madh të trajnimeve profesionale në institucione ndërkombëtare për trajnime në fushën e aviacionit. Asaj i janë deleguar nga Drejtori i Përgjithshëm përgjegjësitë e Zyrtarit për Integrime Evropiane në AAC. Znj. Ukmata është pikë fokale e Komisionit Evropian në Republikën e Kosovës lidhur me obligimet dhe zbatimin e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit në vendin tonë.

Tel: 038/ 200 74 269
Besnike.Ukmata@caa-ks.org

Emir Hiseni

Emir Hiseni është pjesë e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës që nga viti 2010 dhe aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Departamentit të Aerodromeve. Ai mban kredencialet e inspektorit të aerodromeve dhe ka përvojë të gjatë profesionale në fushën e sigurisë së aerodromeve, përfshirë certifikimin, vlerësimin e sistemeve të menaxhimit të sigurisë dhe mbikëqyrjen e përputhshmërisë së operimeve me standardet e ICAO-s dhe EASA-s.

Gjatë karrierës së tij, z. Hiseni ka qenë i përfshirë në pothuajse të gjitha proceset madhore të zhvillimit të aviacionit civil në Republikën e Kosovës, përfshirë certifikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, lëshimin e aprovimeve të para për ofruesit e shërbimeve në tokë dhe furnizuesit e aeroplanëve me karburant, certifikimin e organizatës për aftësim profesional në fushën e aerodromeve, aprovimin e heliportit, vlerësime të ndryshme të sigurisë aeronautike dhe projekte infrastrukturore, si dhe në hartimin e legjislacionit dhe udhëzuesve profesionalë për industrinë e aviacionit civil. Gjithashtu, ka kontribuar në procesin e certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ku edhe sot, herë pas here, zhvillon aktivitete mbikëqyrëse në bashkëpunim me kolegët nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë. Ai është gjithashtu auditor i brendshëm për cilësi dhe siguri, me rol kyç në themelimin dhe certifikimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë në AAC sipas standardeve ISO 9001.

Hiseni është Magjistër i Inxhinierisë së Transportit Ajror nga Fakulteti i Shkencave të Transportit dhe Trafikut në Universitetin e Zagrebit, Kroaci, dhe ka ndjekur trajnime të shumta profesionale të aviacionit civil, përfshirë ato të organizuara nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare EASA, JAA-TO, airsight, IATA, UK-CAA dhe DGAC France, me specializim në sigurinë e aerodromeve, menaxhimin e rrezikut, auditim dhe vlerësime aeronautike.

Tel: 038/200 74 266
emir.hiseni@caa-ks.org

Muhamed Luta

Muhamed Luta është U.D. i Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve të Navigimit Ajror.

Tel: 038/200 74 263
muhamed.luta@caa-ks.org

Hysa Matoshi

Hysa Matoshi është Drejtoreshë e Departamentit të Administratës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës. Në këtë pozitë është emëruar në qershor të vitit 2017.

Studimet Universitare i përfundoi në Kolegjin “Fama” në Prishtinë në Fakultetin Juridik drejtimi Kriminalistikë në vitin 2009 dhe mori titullin Bachelor i Kriminalistikës.

Studimet pasuniversitare Master i kreu në Kolegjin Universitar “Fama” në Prishtinë në Fakultetin Juridik drejtimi Juridiko-Penal në vitin 2013.

Në vitin 2016 përfundoi provimin e Jurisprudencës.

Nga viti 2002 deri në vitin 2017 punoi në Policinë e Kosovës, fillimisht si zyrtar policor, pastaj në vitin 2004 u gradua në gradën Rreshter,  në vitin 2006 u gradua me gradën Toger, dhe në vitin 2013 u gradua në gradën Kapiten. Gjatë kësaj periudhe ka mbajt pozita të ndryshme në kudër të Policisë së Kosovës, pozita e fundit ka qen Shef i Sektorit për Zhvillimin e Trajnimeve.

Gjatë kësaj periudhe të punës në Policinë e Kosovës ka përfunduar një numër të konsiderueshëm të kurseve dhe trajnimeve, duke filluar nga ato bazike, të avancuara e deri te ato më të specializuara dhe menaxheriale.

Po ashtu nga Policia e Kosovës është shpërblyer me Mirënjohje për punë individuale, Mirënjohje për punë grupore, Medalje Policore për Lavdim, Medalje për shërbim të Besnikërisë, gjithashtu nga Kolegji Universitar Fama është shpërblyer me Mirënjohje për rezultat të dalluar gjatë studimeve.

Tel: 038/ 200 74272
Hysa.Matoshi@caa-ks.org