Lajme Kosova ishte nikoqire e takimit të nëntë të Komitetit të Përbashkët të HPEA-së


15/03/2016

Më 28 janar 2016 në Prishtinë u mbajt takimi i nëntë i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit. Në takim morën pjesë palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje: Komisioni Evropian, përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues nga gjashtë shtete anëtare të BE-së. Pjesëmarrës kishte edhe nga industria e aviacionit.

Komiteti i Përbashkët është organi më i lartë mbikëqyrës së Marrëveshjes dhe në takimet e këtij organi diskutohen përparimet dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjes.

Ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, z. Lutfi Zharku, ka mbajtur fjalën hyrëse në emër të vendit nikoqir gjatë së cilës ka përmendur arritjet dhe shpresat për zhvillim të sektorit të aviacionit civil të Republikës së Kosovës.

Z. Carlo Bermejo Acosta, Kryesues i njësisë për çështje ndërkombëtare të aviacionit në Komisionin Evropian, si kryesues i takimit, ka theksuar nivelin e lartë të ngritjes së trafikut në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor prej një mesatare vjetore në pesë vitet e fundit prej 8.7% në krahasim me rritjen e përgjithshme prej vetëm 2.5% në BE. Ai ka treguar se më 2015 në rajon janë shërbyer 11 milion udhëtarë.

Pastaj Komiteti i Përbashkët ka diskutuar çështjet e ngritura rreth konkurrencës së padrejtë dhe ndihmës shtetërorë, të nxitura nga ndihma shtetërore që ka dhënë shteti i Maqedonisë. Palët kanë qenë të interesuara edhe për çështje të ndryshme ligjore sa i përket ratifikimit dhe mënyrës së zbatimit të Marrëveshjes.

Përfaqësuesit e Komisionit kanë bërë prezantime të zhvillimeve në BE rreth legjislacionit nga fushat e aeroporteve, sigurisë dhe sigurimit të aviacionit, menaxhimit të trafikut ajror dhe gjendjes dhe planeve për lidhjen e marrëveshjeve ajrore me palët e treta. Një prezantim për zhvillimet në Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit dhe Programit EASA IPA 3 të financuar nga KE-ja u bë nga përfaqësuesi i EASA-s, z. Dieter Gaupman.

Z. Bermejo Acosta ka përmbyllur takimin duke treguar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes shpreson të ndodhë shumë shpejtë, që mund të shpejtoj mbajtjen e takimit të ardhshëm i cila u vendos të bëhet në Maqedoni. Ai e konsideruar takimin shumë të suksesshëm duke falënderuar vendin nikoqir, Kosovën, për mbështetjen.