Lajme Inspektoret e AAC-së në takim me përfaqësuesit e KOSTT-it


17/07/2019

Në vazhdën e takimeve me  përfaqësues të ministrive, komunave dhe palëve tjera të interesit,  lidhur me mbikëqyrjen e implementimit të Rregullores Nr. 03/2019 për Shënjimin e Pengesave dhe Rregullores nr. 09/2018 mbi Zonat Mbrojtëse të Aerodromit, inspektoret e AAC-së Z. Minir Istrefi dhe Z. Emir Hiseni sot realizuan takimin me përfaqësuesit e KOSTT-it.

Sipas Rregullores për shënjimin e pengesave, e cila është plotësisht në përputhje me Rregulloret e aviacionit civil të Bashkimit Evropian, të gjitha telat e varur apo kabllot që kalojnë mbi një lumë, luginë ose autoudhë duhet të shënjohen, dhe shtyllat e tyre duhet të shënjohen (ngjyrosen) dhe ndriçohen, nëse një studim aeronautik tregon se telat ose kabllot mund të përbëjnë rrezik për aeroplanët dhe helikopterët.

Identifikimi në terren dhe regjistrimi i largpërçuesve mbi rrugët e Republikës së Kosovës, është bërë gjatë vitit 2018 sipas kategorizimit të rrugëve, duke ju dhënë prioritet autoudhëve (R6 dhe R7), rrugëve nacionale (N2, N9 dhe N25) që kanë së paku nga 4 shirita (2×2), si dhe rrugëve që janë të ngushta (me dy shirita), por kanë frekuencë të madhe dhe pritet së shpejti të zgjerohen (N25 Prishtinë – Merdarë).

Takimi me përfaqësuesit e KOSTT kishte për qëllim prezantimin e rregullave dhe procedurave për shënjimin e pengesave, veçanërisht largpërçuesve të identifikuar. Gjatë takimit janë diskutuar sfidat e implementimit të plotë të Rregullores dhe veprimet të cilat duhet të ndërmerren nga KOSTT-i për të qenë përputhje me standardet e aplikueshme. Jemi dakorduar që KOSTT-i të paraqes AAC-së një plan të veprimit për zbatimin e Rregulloreve në fuqi.

Zyra për Komunikm me Publik