Lajme Inspektorët e AAC-së bënë inspektim në ANP për masat anti-COVID-19


31/10/2020

Më 30 tetor inspektorët e AAC-së Dr. Driton Avdiu dhe Alban Ramabaja kanë bërë një inspektim në ANP “Adem Jashari” në lidhje me masat anti-COVID-19.

Inspektorët e AAC-së kanë diskutuar me përfaqësuesit e LKIA listën kontrolluese të hartuara nga EASA me qëllim të zbatimit sa më uniform të masave për frenimin e përhapjes së COVID-19. Përfaqësuesit e operatorit të ANP “Adem Jashari” sqaruan në secilën pikë praninë, përshtatshmërinë, operabilitetin dhe efektivitetin e zbatimit të masave të parashikuara në këtë dokument.

Palët janë pajtuar që operatori deri në fillim të javës së ardhshme të tregojë me shkrim në kuadër të listës kontrolluese, për secilën pikë dokumentin-referencën përkatëse, për mënyrën e zbatimit të masave që ka deklaruar se i ndërmerr, me qëllim të frenimit të përhapjes së COVID-19. Pastaj, mbi bazë të këtyre informatave, AAC-ja do të vazhdojmë mbikëqyrjen e rregullt të zbatimit të masave që dalin nga Protokolli i Sigurisë së Shëndetit në Aviacion, të mbështetur në Buletinin Informativ të Sigurisë të dt. 28.07.2020 të EASA-s që është aprovuar nga AAC-ja në formë të Urdhëresës Administrative të dt. 30.07.2020.

Pas mbarimit të takimit, inspektorët e AAC-së kanë vazhduar inspektimin ad-hoc në ANP “Adem Jashari”, me qëllim të verifikimit të zbatimit të Planit të Veprimit të ofruar nga operatori për rinisjen e fluturimeve. Si rezultat i këtij inspektimi mund të konkludohet si më poshtë:

  • Në hyrje të terminalit tuneli automatik dezinfektues nëpër të cilin kalojnë pasagjerët është funksional;
  • Kamera termike në hyrje të terminalit monitoron në vazhdimësi temperaturën trupore të pasagjerëve;
  • Në nisje, para regjistrimit pasagjerët mbajnë maska dhe ruajnë distancën ndërmjet tyre;
  • Gjatë kontrollit trupor, zyrtarët e sigurimit të aeroportit janë të pajisur me pajisje mbrojtëse (dorëza, maska dhe mbrojtëse xhami për fytyrë);
  • Pasagjerët para portave në nisje janë të ulur në bazë të konfiguracionit të ulëseve të markuara nga operatori – një po, një jo.