Lajme I dorëzohet ASHNA-s certifikata e ripërtërirë


19/08/2021

Drejtori i përgjithshëm i Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) i Republikës së Kosovës z. Bujar Ejupi i dorëzoi sot z. Valmir Hylenaj U.D. i Drejtorit të  përgjithshëm të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajrore (ASHNA) certifikatën e ripërtërirë, në lidhje me shërbimet të cilat ASHNA i ofron.

Ripërtëritja e certifikatës është bërë në përputhje me Rregulloren (AAC) nr. 09/2020 për përcaktimin e kërkesave të përbashkëta për ofruesit e shërbimeve të menaxhimit të trafikut ajror/navigimit ajror dhe funksioneve tjera të rrjetit të menaxhimit të trafikut ajror dhe mbikëqyrjen e tyre, e cila e transpozon Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2017/373.

Procesi i ripërtëritjes së certifikatës ka qenë proces i verifikuar gjatë auditimeve të vazhdueshme, ndërsa formalisht ASHNA ka aplikuar për ripërtëritje të certifikatës më 9 korrik 2021. Nga koha e certifikimit fillestarë në vitin 2016 janë realizuar 17 vizita audituese në ASHNA, për të verifikuar përmbushjen në vazhdimësi të kërkesave rregullatore, ku dy  2 nga këto auditime, të realizuara në vitin 2021, kanë qenë me theks në plotësimin e kërkesave shtesë të cilat burojnë nga Rregullorja nr. 09/2020. 

Varësisht prej përgjegjësive,  sipas legjislacionit në fuqi,  në këtë proces, ka pasur një bashkërendim të aktiviteteve ndërmjet AAC-së dhe Departamentit të Sigurisë së Aviacionit (AVSEC) në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Certifikata e ripërtërirë e ASHNA-s mbulon:

1. Shërbimet e trafikut ajror;

2. Shërbimet e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit;

3. Shërbimet e informatave aeronautike; dhe

4. Shërbimet e meteorologjisë.