Lajme Drejtori i Përgjithshëm ka qëndruar për vizitë në Autoritetin a Aviacionit të Shqipërisë


09/07/2020

Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së së Kosovës, z. Bujar Ejupi ka qëndruar për vizitë në Autoritetin a Aviacionit të Shqipërisë ku ka takuar Drejtoreshën Ekzekutive të këtij Autoriteti, znj. Edlira Kraja.

Fokus i takimit ishte bashkëpunimi ndërmjet dy autoriteteve të aviacionit civil, përfshirë ndikimin që pandemia COVID-19 ka pasur në transportin ajror në të dy vendet dhe masat e ndërmarra për ri-fillimin e operimeve bazuar në protokollet e miratuara për ruajtjen e shëndetit dhe sigurinë operacionale.

Palët biseduan edhe për angazhimin e përbashkët drejt hapjes së rrugëve ajrore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Hapja e rrugëve (korridoreve) ajrore dhe bashkëpunimi në mes dy shteteve do të optimizonte lëvizjen e aeroplanëve në hapësirat ajrore të të dy shteteve duke shtuar sigurinë dhe ulur koston e fluturimeve.

Palët poashtu u pajtuan që të realizojnë shkëmbime eksperiencash përmes aktiviteteve të përbashkëta mbikëqyrëse dhe certifikuese si dhe për organizimin e punëtorive të përbashkëta, me synim rritjen e kapaciteteve profesionale të inspektorëve të të dy autoriteteve.