Lajme Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, z. Eset Berisha në takim znj. Lendita Muhaxheri biseduan për mundesinë e hapjes të një qendre të fluturimit dhe zhvillimit të hedhjes nga ajri me parashutë


14/06/2019

Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, z. Eset Berisha priti në takim znj. Lendita Muhaxheri, shtetase zvicerane e lindur në Kosovë, me të cilën diskutoi për iniciativën e saj për hapjen e një qendre të fluturimit dhe zhvillimin e aktiviteteve të hedhjes nga ajri me parashutë.

Znj. Muhaxheri prezantoi idenë e saj për hapjen e kësaj qendre në vendin tonë në të cilën do të zhvillohen aktivitete të fluturimit me balon dhe aktiviteteve te kërcimeve me parashutë nga ajri për entuziastë të vendit tonë si dhe të vendeve të ndryshme Evropiane. Ajo theksoi se gjate karrierës se saj si parashutiste ka vizituar shumë qendra të parashutizmit ne Evropë dhe më gjerë mirëpo karakteristikat e reliefit dhe bukuritë natyrore të Republikës së Kosovës janë dukshëm më atraktive dhe mjaft të përshtatshme për këtë veprimtari. Ajo potencoi se me këtë investim parashihet ndërtimi i një qendre trajnuese dhe objekteve përcjellëse për vendosjen e aeroplanëve dhe akomodimin e parashutistëve gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë.

Drejtori Berisha, mirëpriti idenë e znj. Muhaxheri, të cilën e informoi rreth kushteve dhe infrastrukturës në Republikën e Kosovës me theks të veçantë në prezencën e 14 fusha ajrore disa nga to edhe me pista të shtruara dhe te cilat janë mjaft të përshtatshme për këtë veprimtari. Është jetike zhvillimi i aviacionit të përgjithshëm civil në vendin tonë përmes iniciativave të tilla, prandaj ato gjithnjë do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen maksimale të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Zyra për Komunikim me Publik