Lajme Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së z. Eset Berisha priti në takim zëvendës-shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë z. Riccardo Serri


22/01/2020

Sot Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, z. Eset Berisha, priti në një vizitë zyrtare zëvendës-shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Riccardo Serri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Serri u interesua më për së afërmi për zhvillimet e aviacionit civil në Republikën e Kosovës në përgjithësi si dhe për procesin e normalizimin të hapësirës së ulët ajrore në vendin tonë. Në të njëjtën kohë z. Serri përgëzoj Drejtorin e Përgjithshëm për punën që kishte bërë rreth zhvillimeve të fundit sa i përket letrës së interesit për realizimin e fluturimeve në mes të ANP “Adem Jashari” dhe Beogradit.

Berisha e njoftoi z. Serri që Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës është duke punuar në mënyrë intensive së bashku me NATO-n dhe KFOR-in, në kuadër të takimeve të BANM (Balkans Airspace Normalization Meeting) për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore dhe hapjen sa më të shpejtë të korridoreve të reja ajrore.

Sa i përket pranimit të letrës së interesit nga kompania “Lufthansa”  për operimin e linjës Prishtinë – Beograd, z. Berisha shprehi gatishmërinë e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për dhënie e përkrahjes maksimale në realizimin e këtij fluturimi.Të dyja palët u dakorduan që të mbajnë takime të vazhdueshme edhe në të ardhmen

Zyra për Komunikim me Publikun