Lajme Bashkëpunimi me Doganën e Kosovës


05/01/2024

Sot, më 5 janar 2024, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së z. Alban Ramabaja dhe Drejtori i Departamentit të Sigurisë së Fluturimeve z. Kushtrim Musa, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, takuan Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës z. Agron Llugaliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, në objektin e Doganës së Kosovës në Prishtinë.

Qëllimi i takimit ishte harmonizimi i proceseve të zhdoganimit nga Dogana e Kosovës të sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) që importohen nga jashtë dhe të regjistrimit të këtyre dronëve nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, me synimin përfundimtar të rritjes së efikasitetit të kontrollit të importit të dronëve nga Dogana dhe që asnjë dron të mos mbetet i paregjistruar nga AAC-ja, si institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e operimeve me dronë në Kosovë.

Në takim u ra dakord për hapat e ardhshëm për harmonizimin e bazës ligjore nga të dyja institucionet në fjalë, si dhe u diskutuan veprimet konkrete për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe për promovimin e shkëmbimit aktiv të ideve nga zyrtarët profesionistë të të dy institucioneve.