Lajme Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka informuar publikun e gjerë dje se fluturimi me nr. VBB3208 i nisur nga Shtutgarti për në Prishtinë


30/05/2019

 

KOMUNIKATË PËR PUBLIKUN

 

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka informuar publikun e gjerë dje se fluturimi me nr. VBB3208, i nisur nga Shtutgarti për në Prishtinë, i realizuar nga aeroplani i kompanisë ajrore të Bashkimit Europian, ALK Airlines është detyruar të bëjë një devijim për në aeroportin e Zagrebit për shkak të problemeve teknike gjatë fluturimit, dhe ka aterruar pa problem në këtë aeroport rreth orës 18.00. Udhëtarët janë sjellur në ANP “Adem Jashari ” me një aeroplan tjetër të kësaj kompanie ajrore në ora 02:40 min pas mesnate.

Transporti ajror në Republikēn e Kosovës rregullohet në bazë të Marrëveshjes për Themelimin e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA), palë e së cilës është edhe Kosova që nga viti 2006, përmes së cilēs kompanitë ajrore të cilat janë të regjistruara dhe licencuara në një shtet të Bashkimit Europian apo shtete tjera anëtare të kësaj marrëveshjeje, e kanë të garantuar lirinë e trafikut ajror. Kjo nënkupton që Certifikatat e Operimit Ajror, Licencat e Operimit dhe Certifikatat e Vlefshmërisë Ajrore të kompanive ajrore të cilat lëshohen nga një shtet nënshkrues i kësaj marrëveshje, janë të vlefshme edhe për vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes HPEA, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës.

Përderisa një aeroplan posedon certifikatën e vlefshmërisë ajrore të lëshuar nga autoritetet kompetente të shteteve të Marrëveshjes HPEA, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës nuk ka të drejtë të ndaloj fluturimin e tyre në Republikën e Kosovës, përvec nëse gjatë kontrollimit në platformë vërehen jo konformitete me standardet e sigurisë.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës siguron qytetarët se është duke bërë inspektime të vazhdueshme të transportuesve të huaj ajror në ANP “Adem Jashari” për t’u siguruar që transporti ajror në vendin tonë të jetë sa më i sigurtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të aviacionit civil.

Zyra për Marrëdhënie me Publik

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës

Lagjja Arbëria, Rruga Ahmet Krasniqi Nr.208, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës

Tel: +383 38 248 629 ext.106  +383 45 861 691- Fax: +383 38 211 009 – Web: www.caa-ks.org