Lajme Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës është njoftuar për ndodhinë e aeroplanit të linjës ajrore “ALK Airlines” në fluturimin nga Prishtina në Bazel.


17/06/2019

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AAC) është njoftuar për ndodhinë në aeroplanin e linjës ajrore “ALK Airlines” të fluturimit nga Prishtina në Bazel.

Sot në mëngjes AAC ka kontaktuar me zyrtar të kësaj kompanie ajrore dhe ka kërkuar një raport të detajuar lidhur me këtë ndodhi, për hetim të mëtejmë. Kemi kërkuar edhe informacione nga autoritetet zvicrane.

AAC në bazë të përgjegjësive që ka, rregullisht bën inspektime të kompanive ajrore që operojnë në ANP “Adem Jashari”, përfshirë edhe kompaninë në fjalë.

AAC ka trajtuar dhe trajton çdo herë shqetësimet e ngritura nga udhëtarët dhe merr masa parandaluese përmes inspektimeve të rregullta dhe ad hoc. Një prej inspektimeve të bëra është realizuar edhe në këtë kompani ajrore dhe gjatë këtyre inspektimeve nuk janë vërejtur parregullsi në pajisje apo përgatitje të personelit të aeroplanëve, të cilët do të mund të paraqesin ndonjë rrezik për siguri të fluturimit.

Bazuar në informatat që tanimë janë publike, aeroplani në fjalë ka hasur në turbulencë që mund të cilësohet si shqetësuese dhe aspak e këndshme për udhëtarët në bord. Megjithëse aeroplanët që sot janë në përdorim anekënd globit para futjes në shfrytëzim nga operatoret ajror kalojnë një sërë testesh për të përballuar ngarkesat e mundshme të shkaktuara nga erërat e fuqishme dhe lëvizjet vertikale të presionit ajror (turbulencat). Gjithashtu edhe ekuipazhi i fluturimit është i trajnuar për të ju përgjigjur në mënyrë adekuate këtyre dukurive dhe me sa më pak shqetësuese për udhëtarët.

AAC është e përkushtuar për të ofruar një ambient të sigurt për zhvillimin e operimeve të aviacionit civil në Republikën e Kosovës.

Me respekt,

Zyra për Komunikim me Publik