Lajme ASHNA dhe Albcontrol nëshkruajnë Letër Marrëveshje për hapjen e korridorit ajror Shqipëri – Kosovë


17/06/2020

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror e Kosovës (ASHNA) dhe ofruesi i shërbimeve të navigacionit ajror i Shqipërisë Albcontrol kanë nënshkruar sot një Letër Marrëveshje për koordinimin e trafikut ajror midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Marrëveshja është lidhur në kuadër të nismës “Mbledhja për Normalizimin e Aviacionit të Ballkanit” (BANM) të udhëhequr nga NATO-ja, në të cilën merr pjesë edhe AAC-ja.

Ky është një hap i rëndësishëm për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës sepse korridori i ri ajror do t’i shkurtojë për rreth 15 minuta fluturimet për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga Evropa Qendrore dhe Perëndimore dhe, si rrjedhojë, do t’i ulë kostot e operimit të kompanive ajrore dhe emetimet e karbonit drejt një aviacioni më të gjelbër, që do të duhet të rezultojë edhe me ulje të biletave.

AAC-ja falënderon të gjitha institucionet e angazhuara për punën e tyre të çmuar për të arritur deri tek ky rezultat, e në veçanti NATO-n dhe KFOR-in, të cilët kanë mundësuar dhe lehtësuar këtë arritje dhe vazhdojnë ta përkrahin zhvillimin e aviacionit civil në Kosovë.