Lajme ANP “Adem Jashari” ka shërbyer afro 3 milion udhëtarë gjatë vitit 2022, 37% më shumë se në vitin 2021


17/01/2023

2,994,560 udhëtarë kanë udhëtuar për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjatë vitit 2022, 37% më shumë se në vitin 2021 dhe 26% më shumë se në vitin 2019 para pandemisë.

Muaji gusht ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 371,246 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik me 365,378 udhëtarë, ndërsa muajt me më së paku udhëtarë kanë qenë muaji shkurt me 156,241 dhe muaji janar me 194,207 udhëtarë.

Gjatë vitit 2022 janë realizuar 10,827 nisje fluturimesh, apo 21% më shumë se në vitin 2021. Muaji korrik dhe gusht u dalluan me më së shumti fluturime, me 1,087 dhe 1,158 nisje. Në anën tjetër, muajt shkurt dhe mars kishin më së paku fluturime, me nga 543 dhe 630 nisje.

Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohet Bazeli (BSL/MLH), Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, Britania e kështu me radhë. Prej kompanive ajrore, prin Wizzair me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Easyjet, GP Aviation, Eurowings, Trade Air, Turkish Airlines, Chair Airlines e kështu me radhë.

Sa i përket destinacioneve të mëtutjeshm prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Çikago (O’Hare), Nju Xhersi (Newark International), Frankfurti, Antalia e kështu me radhë.

Grafet me statistikat e plota të trafikut ajror gjatë vitit 2022 mund t’i gjeni këtu.