Lajme ANP “Adem Jashari” ka shërbyer 2,373,698 udhëtarë në vitin 2019, 9.6% më shumë se në vitin 2018


09/01/2020

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 2,373,698 udhëtarë në vitin 2019, sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA. Ky numër udhëtarësh është 9.6% më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2018 (2,165,749).

Si zakonisht, muaji gusht ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 302,413 udhëtarë, që pasohet nga 280,295 në muajin korrik, ndërsa trafiku më i ulët gjatë muajit shkurt me 138,443 udhëtarë. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2018, ngritja ishte dyshifrore në muajin janar, shkurt, mars, qershor, gusht dhe tetor 2019. Muaji shkurt dhe mars u dalluan me ngritje mbi 12% ndërsa muaji janar dhe qershor me mbi 17%.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar 9,113 nisje fluturimesh, apo 8.6% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt korrik dhe gusht, me 1,087 dhe 1,158 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji shkurt kishte më së paku nisje fluturimesh, 543.

Prej destinacioneve me më së shumti udhëtarë dallohen Cyrihu, Gjeneva, Stambolli (IST), Vjena, Mynihu, Shtutgarti, Bazeli (BSL/MLH) dhe Dyseldorfi. Prej shteteve sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria e kështu me radhë.

Prej kompanive ajrore, prin Eurowings me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina e pasuar nga Easy Jet, Edelweiss, Wizzair, Orange2fly, Pegasus e kështu me radhë.

Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Frankfurti, Kopenhaga, Londra (Heathrow), Çikago (O’Hare), Helsinki dhe Brukseli.

Grafet me statistikat e plota të trafikut ajror gjatë vitit 2019 do të publikohen gjatë javës së ardhshme në faqen zyrtare të AAC-së në internet.