Lajme AAC-ja priti në takim pune Ministrin e Infrastrukturës Abrashi dhe institucionet e operatorët për të koordinuar rifillimin e operimeve ajrore


09/06/2020

Me ftesë të u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil te Kosovës, z. Arianit Islami, sot janë takuar përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Dogana e Kosovës, Policia e Kosovës, Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe operatorët që ofrojnë shërbime aeronautike në vendin tonë, Agjencia për Shërbime të Navigacionit Ajror dhe operatori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës LKIA “Adem Jashari”.

I pranishëm në takim ishte edhe Ministri i Infrastrukturës, z. Arban Abrashi.

Ky takim u mbajt me qëllim të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale bashkë me operatorët për zbatimin e udhëzimeve që dalin nga Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit Civil (EASA) dhe Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) për parandalimin e përhapjes së COVID-19 edhe kur të hapen kufijtë ajror dhe të fillojnë operimet e rregullta në ANP “Adem Jashari”.

Z. Islami, përmes një prezantimi, njoftoi të pranishmit për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe harmonizimin e implementimit të kërkesave që dalin nga EASA dhe ICAO, për hapjen e suksesshme të kufijve ajrorë dhe rifillimin e operimeve ajrore, por duke marrë parasysh masat që parandalojnë përhapjen e COVID-19.

Gatishmëria e palëve të përfshira për rifillim të operimeve u tregua mjaft e lartë dhe u dakordua që të gjitha veprimet e institucioneve të konfirmohen për të përmbledhur dhe publikuar gjendjen aktuale në Kosovë sa i përket zbatimit të masave parandaluese të përhapjes së COVID-19, për të dëshmuar gatishmërinë e vendit për rifillim të operimeve në portin e vetëm ndërkombëtar ajror të Kosovës.

Ministri Abrashi i dha mbështetje dhe fuqi këtij grupi të takuar sot dhe vlerësoi punën e përbashkët për hapje sa më të shpejtë të kufijve ajrorë dhe fluturimeve kaq të mirëpritura sidomos për mërgatën tonë.