Lajme AAC-ja e Kosovës dhe e EBA-së nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi
28/08/2013
Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, z. Dritan Gjonbalaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), z. Saif Mohammed Al Suwaidi, kanë nënshkruar gjatë muajit gusht një Memorandum Mirëkuptimi. Ky dokument siguron bazën e duhur ligjore për bashkëpunimin midis zyrtarëve që punojnë në fushën e rregullimit të aviacionit civil në të dy vendet.
Nevoja për t’u ballafaquar me sfidat e reja si dhe përmirësimi i vazhdueshëm në fushën e mbikëqyrjes së operimeve të aviacionit civil kanë motivuar dy Autoritetet që ta formalizojnë bashkëpunimin teknik. Fushat e bashkëpunimit përfshijnë të gjitha sferat e aviacionit civil ndërkombëtar duke përfshirë legjislacionin, materialet udhëzuese-teknike, shkëmbimin e ekspertëve, identifikimin e projekteve të përbashkëta etj.
Duke marrë parasysh se për shkak të madhësisë së industrisë së aviacionit civil EBA është një hisedar i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të aviacionit civil, AAC-ja e EBA-së gjithashtu do ta përkrahë pjesëmarrjen e AAC-së së Kosovës nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare.
Përndryshe, AAC-ja e EBA-së është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë, rregullimin ekonomik të aviacionit civil si dhe ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror në këtë vend. Mes tjerash, industria e aviacionit në EBA përfshin gjashtë aeroporte ndërkombëtare dhe pesë kompani të rregullta ajrore me trafik ndërkombëtar. Trafiku ajror në këtë vend në vitin 2012 ishte 118,318,600 udhëtarë.