Lajme ANP “Adem Jashari” ka shërbyer 1,885,136 udhëtarë në vitin 2017, 8.08% më shumë se në vitin 2016
17/01/2018
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 1,885,136 udhëtarë në vitin 2017, sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA. Ky numër udhëtarësh është 8.08% më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2016 (1,744,202).
Si zakonisht, muaji gusht ka pasur numrin më të lartë, gjithsej 241,905 udhëtarë, që pasohet nga korriku me 234,565, ndërsa më i ulëti ishte shkurti me 108,784 udhëtarë. Ngritja ishte dyshifrore në muajt prill, korrik, gusht, shtator dhe dhjetor. Korriku dhe shtatori u dalluan me ngritje mbi 12% ndërsa prilli plot 20%.
Gjatë vitit të kaluar në Prishtinë janë realizuar 7,508 fluturime, apo 3,5% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt korrik dhe gusht, 882 dhe 934 fluturime përkatësisht. Në anën tjetër, shkurti kishte më së paku fluturime: 433.
Prej destinacioneve dallohen Cyrihu me 17.6% të tërë trafikut të udhëtarëve, Bazeli (BSL/MLH) – 12.7%, Dyseldorfi – 8.8%, Stambolli (IST) – 7.3%, Gjeneva – 7.0%, Shtutgarti – 5.8%, Mynihu – 5.6% dhe Vjena – 5.2%. Prej shteteve, prin Zvicra me 37.3% të trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, e pasuar nga Gjermania me 28.6%, Turqia me 16.4%, Austria me 5.2%, Sllovenia me 2.7% e kështu me radhë.
Prej kompanive ajrore, prin Germania me 294,633 udhëtarë të shërbyer gjatë vitit 2017 për në dhe nga Prishtina, e pasuar nga Easy Jet me 255,810, Edelweiss – 211,810, Adria Airways – 177,166, Turkish Airlines – 144,040, Eurowings – 131,889, Germania Flug – 166,467 e kështu me radhë.
Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Londra (Heathrow), Helsinki, Kopenhaga, Cyrihu dhe Frankfurti.
Bartja e mallrave dhe postës përmes ajrit ka shënuar rritje prej 4%, por nga një bazë e ulët.
Statistikat e plota gjenden këtu.