Lajme Thellohet bashkëpunimi midis AAC-së dhe EASA-s


21/06/2016

Më 20 qershor 2016, Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, Z. Dritan Gjonbalaj, është takuar me Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Evropiane për Siguri Ajrore (EASA), Z. Patrick Ky. Takimi është zhvilluar në zyrat qendrore të EASA-s në Këln të Gjermanisë. Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i kërkesës disavjeçare të AAC-së për të filluar negocimin e marrëveshjeve teknike të njohura si Aranzhime Pune midis AAC-së së Kosovës dhe EASA-s.

Z. Gjonbalaj e informoi z. Ky për zhvillimet e fushës së sigurisë së aviacionit në Republikën e Kosovës dhe zbatimin e kuadrit ligjor të BE-së në këtë fushë, si detyrim i vendit tonë nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA). Ai gjithashtu përmendi ngritjen e nivelit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së, me theks të veçantë në hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së dhe hapi i parë zyrtar i vendit drejt aderimit në BE. Z. Gjonbalaj shtoi se, përderisa kemi qenë të prirë ta kuptojmë hezitimin e EASA-s për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me AACK-në në të kaluarën, besojmë se hyrja në fuqi e MSA-së përbën bazë të fortë ligjore për të gjithë trupat e BE-së që ta zyrtarizojnë bashkëpunimin me institucionet relevante të Kosovës, duke përfshirë edhe nënshkrimin e Aranzhimeve të Punës midis EASA-s dhe AACK-së. Z. Ky falënderoi AACK-në për interesimin për të nënshkruar Aranzhime Pune me EASA-n dhe konfirmoi se tani nuk sheh më asnjë arsye për ta shtyrë më tej këtë çështje. Nënshkrimi i Aranzhimeve të Punës me EASA-n pritet të bëhet vitin e ardhshëm, pas një inspektimi faktmbledhës nga ana e EASA-s në Kosovë, për të cilin po punohet që të realizohet deri në fund të këtij viti.

EASA është agjenci e specializuar e BE-së, me përgjegjësi në fushën e sigurisë së aviacionit civil. Kjo agjenci ka hezituar deri më tani të hyjë në aranzhime kontraktuale me AAC-në për shkaqe politike, jashtë fushëveprimit dhe mundësive të AAC-së apo institucioneve tjera të Republikës së Kosovës. Nënshkrimi i Aranzhimeve të Punës do t’i mundësojë AAC-së qasje në bazën evropiane të të dhënave të sigurisë së aeroplanëve dhe do të krijojë kornizën e nevojshme ligjore për inspektime të performancës së AAC-së nga EASA në të gjitha fushat e sigurisë së aviacionit, të njohura si inspektime standardizuese.

Gjatë procesit për formalizimin e marrëdhënieve me EASA-n, AACK-ja është mbështetur në vazhdimësi nga Minstria e Infrastrukturës, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punëve të Jashtme si dhe Komisioni Parlamentar për ZHEITI.

Z. Ky and z. Gjonbalaj në EASA