Lajme 7 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Aviacionit Civil


07/12/2020

Dita Ndërkombëtare e Aviacionit Civil është krijuar më 1994 si pjesë e aktiviteteve të 50 vjetorit të ICAO-s. Në vitin 1996, në përputhje me një iniciativë të ICAO-s dhe me ndihmën e Qeverisë Kanadeze, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu zyrtarisht 7 Dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil në sistemin e Kombeve të Bashkuara.

Qëllimi i Ditës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil është të ndihmojë në gjenerimin dhe përforcimin e ndërgjegjësimit mbarëbotëror për rëndësinë e aviacionit civil ndërkombëtar për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shteteve dhe për rolin unik të ICAO-s në ndihmë Shteteve për të bashkëpunuar dhe realizuar një kalim vërtet global në një rrjet tranzit të shpejtë në shërbim të mbarë njerëzimit.

Më 13 mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil. Ligji ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) i Republikës së Kosovës është themeluar si agjenci e pavarur rregullatore në bazë të nenit 14 të Ligjit nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil. Nga 1 janari 2009, AAC-ja ka marrë kompetencat e plota në përputhje me këtë ligj. AAC është njëra nga autoritetet publike me përgjegjësi dhe funksione në fushën e aviacionit civil në vendin tonë. Ligji përcakton që Ministria e Infrastrukturës (MI) është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të transportit ajror, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është përgjegjëse për rregullimin e aspekteve të sigurimit të aviacionit. Ligji gjithashtu themelon Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), si institucion që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ndërsa Ligji Nr. 04/L-250 për Agjencinë e Shërbimet e Navigacionit Ajror ka themeluar këtë agjenci më 2014.

AAC-ja është e ngarkuar me rregullimin e aspekteve të sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror. Rregullimi ekonomik i aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror nënkupton miratimin e tarifave për shfrytëzimin e shërbimeve që ofrojnë këta operatorë.

Përkundër ngritjes së vazhdueshme ndër vite, viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për sektorin e aviacioni i cili është ndikuar shumë globalisht por edhe në Kosovë nga pandemia COVID-19.

AAC-ja e Kosovës ua uron Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të gjithë profesionistëve të aviacionit në Kosovë duke i përgëzuar për përpjekjet e përditshme që të kemi një sistem të sigurt dhe efikas të aviacionit civil në Kosovë. Shumë suksese në punë!