Lajme U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës viziton Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë


02/02/2024

Në përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe shkëmbimin e njohurive, U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, z. Alban Ramabaja, së bashku me bashkëpunëtorë, zhvilloi një vizitë në AAC-në e Republikës së Shqipërisë të mërkurën, më 31 janar 2024.

Gjatë vizitës, z. Ramabaja u prit nga homologu i tij z. Maksim Et’hemaj në selinë e AAC-së në Tiranë.

Qëllimi i vizitës ishte eksplorimi i mundësive për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e aviacionit civil, duke fokusuar diskutimet në shkëmbimin e praktikave më të mira dhe promovimin e lidhjes së aviacionit ndërmjet dy shteteve dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy autoriteteve.

Drejtori Ramabaja vlerësoi progresin e arritur dhe proceset e reformave të mëdha të drejtorit Et’hemaj në AACSH dhe shprehu interesimin e tij për të mësuar nga përvojat e z. Et’hemaj në realizimin e këtyre reformave. Po ashtu ai shpjegoi proceset në vazhdim nga AAC-ja e Kosovës dhe kërkoi nga z. Et’hemaj mbështetje për çështjet që ndërlidhen me institucionet ndërkombëtare, si anëtarësimi i Kosovës në ICAO, pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare të aviacionit përmes mbështetjes së Shqipërisë, funksionalizimi i një kompanie ajrore nacionale të Kosovës, etj.

Drejtori i Përgjithshëm Et’hemaj falënderoi kolegët nga Kosova për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme në proceset e certifikimit të aeroporteve në Republikën e Shqipërisë, si dhe theksoi gatishmërinë e AACSH-së për të ndarë ekspertizën e tyre dhe të gjitha kapacitetet e tyre për të mbështetur zhvillimin e sektorit të aviacionit në Kosovë.

Drejtorët e AAC-ve shprehën angazhimin e tyre të ndërsjellë për të mbajtur një marrëdhënie të ngushtë pune dhe u zotuan të vazhdojnë të angazhohen në shkëmbime të rregullta për të garantuar standardet më të larta të sigurisë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm në industrinë e aviacionit.

Me propozimin e z. Ramabaja, vizita përfundoi me një dakordim për krijimin e një ekipi koordinues për aktivitetet e përbashkëta të të dyja AAC-ve. Ekipi koordinues do të fokusohej në fusha specifike të bashkëpunimit, si harmonizimi rregullator, programet e trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve, bashkëpunimi për zhvillimet dhe aktivitetet në nivelin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe shkëmbimi i informacioneve në lidhje me menaxhimin e trafikut ajror. Vizita e drejtorit Ramabaja në AACSH shënon një moment historik të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoriteteve të Aviacionit Civil të Kosovës dhe të Shqipërisë. Kjo vizitë vendos një precedent shumë pozitiv për bashkëpunimin e ardhshëm midis autoriteteve të aviacionit të të dyja vendeve dhe demonstron përkushtimin e përbashkët për të nxitur edhe bashkëpunimin rajonal.