Lajme Republika e Kosovës pranohet anëtare me të drejta të plota në FAI
25/09/2015
Në mbledhjen e Konferencës së Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Aeronautikës (FAI), të mbajtur sot, më 25 shtator, në Roterdam të Holandës, pas rekomandimit të Këshillit Ekzekutiv, Federata Aeronautike e Kosovës është pranuar në FAI me shumicë absolute të votave si anëtare me të drejta të plota. Votat e vetme kundër ishin ato të Spanjës dhe Serbisë.
Për të qenë pjesë e FAI-t, Federata Aeronautike e Kosovës (FAK) kishte aplikuar në muajin prill të këtij viti, ndërkohë që pas shqyrtimit të dokumentacionit nga FAI, në qershor të këtij viti, Këshilli Ekzekutiv i kësaj organizate kishte votuar unanimisht për t’i dhënë përgjigje pozitive pjesëmarrjes së përkohshme të FAK-ut në garat ndërkombëtare.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në FAI, do t’iu mundësojë sportistëve kosovarë të aeronautikës të marrin pjesë si të barabartë në garat ndërkombëtare me sportistë nga më shumë se 100 vende tjera.