Lajme Pjesëmarrja në konferencën ndërkombëtare “AI IN THE SKY 2024”


19/11/2024

Me ftesë të Drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Turqisë (DGAC), Prof. Dr. Kemal Yüksel, UD i Drejtorit të përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, z. Burim Dinarama, së bashku me z. Kushtrim Musa Drejtor i Departamentit për Siguri të Fluturimeve, morri pjesë në Konferencën ndërkombëtar  “AI IN THE SKY 2024”, me datë 12-14 nëntor 2024 në Antalya, organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) dhe mbështetur nga DGAC e Republikës së Turqisë.

UD Drejtori i Përgjithshëm në konferencën për inteligjencën artificiale në aviacion

Kjo konference, u hap zyrtarisht nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Republikës së Turqisë, z. Abdulkadir Uraloglu, dhe kishte si synim eksplorimin e ndikimit të inteligjencës artificiale (AI) dhe të të dhënave të mëdha në sektorin e aviacionit civil, duke marrë parasysh implikimet në sigurinë, efikasitetin, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rrjeteve globale të aviacionit civil.

Kjo ngjarje bashkoi zyrtarë qeveritarë, liderë të industrisë, inovatorë të teknologjisë për të diskutuar integrimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI) për të rritur efikasitetin e hapësirës ajrore, përmirësimin e sigurisë dhe rritjes së qëndrueshme në rrjetet globale të aviacionit, duke theksuar rolin e ICAO-së në zhvillimin e një kuadri të unifikuar rregullator, në lehtësimin dhe adoptimin e sigurt dhe efikas të teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI) në mbarë botën.

Përmes fjalimeve kryesore, diskutimeve në panel, punëtorive interaktive, ekspozitave dhe mundësive të rrjetëzimit, pjesëmarrësit u njoftuan me njohuri të çmueshme në avancimin e zgjidhjeve të orientuara nga inteligjenca artificiale (AI), dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar për të shfrytëzuar plotësisht inovacionin e drejtuar nga të dhënat në aviacion.

UD Drejtori i Përgjithshëm Z. Dinarama dhe Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil i Republikës së Turqisë, Z. Kemal Yüksel

Gjatë kësaj konference z. Dinarama realizoi takim bilateral me Drejtorin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Kemal Yüksel me ç’rast u diskutua lidhur me marrëveshje bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe avancimin e bashkëpunimit në sfera të caktuara të aviacionit civil.

Po ashtu, Z. Dinarama pati edhe takime jo formale me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), Z. Juan Carlos Salazar dhe Z. Jorge Vargas, Drejtor i Byrosë për Zhvillim dhe Zbatim të Kapaciteteve (CDI).

Prezenca e Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës si dhe takimet e zhvilluara në këtë konferencë konsiderohen jashtëzakonisht të rëndësishme për rrugën e Kosovës për integrim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë në Aviacionin Civil.