Lajme Kosova ishte nikoqire e takimeve të Programit ISIS II


16/05/2014

Më 13 dhe 14 maj 2014, AAC-ja ishte nikoqire e Takimit të Nivelit të Lartë për Skemën e Performancës së SES-it dhe Takimit të Organit Drejtues të Programit ISIS. Programi ISIS (Implementation of the Single European Sky in South East Europe / Zbatimi i Qiellit të Vetëm Evropian në Evropën Jug-Lindore) është një iniciativë e bashkëpunimit rajonal, e financuar nga Komisioni Evropian, e krijuar në vitin 2008 për të mbështetur shtetet nënshkruese të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA), duke përfshirë Kosovën, në transponimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së në fushën e menaxhimit të trafikut ajror.

Në këto dy takime të mbajtura në Prishtinë morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), Programit ISIS II, ligjërues nga EUROCONTROL dhe AAC-ja e Belgjikës, si dhe përfaqësues nga AAC-të e shteteve partnere të Marrëveshjes HPEA nga rajoni (Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosna e Hercegovina).

Takimi i Nivelit të Lartë u drejtua nga znj. Beatrice Thomas e Komisionit Evropian, e cila mes tjerash falënderoi nikoqirin e takimit. Në fjalën e tij z. Gjonbalaj shprehu kënaqësinë që AAC-ja e Kosovës është nikoqire e të dy takimeve, tregoi për suksesin që AAC-ja ka treguar me ndihmën e Programit ISIS I në përmbushjen e kërkesave të dala nga SES dhe foli për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës duke shprehur pritjet që bashkëpunimi rajonal në kuadër të ISIS II do të ndihmojë në normalizimin e mëtutjeshëm.

Takimi i Nivelit të Lartë kishte për qëllim t’i njoftonte palët për kuadrin rregullator dhe teknik të skemës së performancës së paketës legjislative SES të BE-së, pastaj rolin e Bordit të Vlerësimit të Skemës së Performancës, i cili u prezantua nga z. Michael Gommers i EUROCONTROL-it, dhe përgjegjësitë e autoriteteve mbikëqyrëse në zbatimin e skemës së performancës në suazat e Blloqeve Funksionale të Hapësirës Ajrore (Functional Airspace Blocks – FAB), të prezantuar nga z. Eric de Causemacker  i AAC-së belge.

Takimi i ditës së dytë i Organit Drejtues të Programit ISIS II u hap nga znj. Beatrice Thomas e KE-së dhe z. Gazmend Turdiu, Zv/Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), organizatë kjo që bashkëdrejton Programin ISIS II. Pastaj të pranishmit ndoqën prezantime mbi formatin e Programit ISIS II, i cili do të ndërtohet në tri shtylla: transponimi i legjislacionit, skema e performancës dhe bashkëpunimi ndërkufitar.

Palët miratuan konkluzionet e takimeve, të cilat njohin nevojën e përfituesve të ISIS II për të lëvizur në mënyrë graduale në zbatimin e skemës së performancës SES, nënvizojnë nevojën për një periudhë transitore për të zhvilluar proceset si dhe kapacitetet e nevojshme, mbështesin propozimin e Komisionit Evropian që skema e performancës të ketë datë tentative për zbatim të plotë vitin 2020 (periudha referente 3), theksojnë nevojën që planet e zbatimit të jenë të veçanta për çdo shtet, nënvizojnë nevojën për të dedikuar resurset e nevojshme kombëtare për zbatimin e legjislacionit, mbështesin aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Programit ISIS II, etj.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA