Lajme Inspektorët e AAC të Kosovës në vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – VIA


07/02/2025

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Autoriteteve të Aviacionit Civil të Kosovës dhe Shqipërisë për fushën e aerodromeve, inspektorët e aerodromeve realizuan një vizitë dyditore në Shqipëri. Me këtë rast bashkë me kolegët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë (AACSH) ishin në një vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës për monitorimin të punimeve ndërtimore në zhvillim e sipër.

Gjatë kësaj vizite, inspektorët patën mundësi të monitoronin nga afër punimet që lidhen me ndërtimin e infrastrukturës së aeroportit posaqërisht kur kemi të bëjmë me ndërtimin e një aeroporti të ri nga fillimi, si një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe efikasitetin e operacioneve ajrore të ardhshme. Poashtu ishte rast i mirë të shihen për së afërmi edhe sfidat inxhinierike për realizimin e një projekti të tillë, veçanërisht duke pasur parasyshë specifikat gjeografike të zonës që është afër Lagunës së Nartës.

Përveç monitorimit të punimeve, gjatë kësaj vizite u diskutuan edhe procese të tjera të rëndësishme për të dyja autoritetet, përfshirë vlerësimin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë nga ana e ICAO (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil) në lidhje me zbatimin e standardeve ndërkombëtare të aviacionit. AACK përgëzoi kolegët e Shqipërisë për suksesin e arritur në këtë process, me 89% të zbatimit efektiv të standardeve, ku u diskutua edhe për sfidat dhe përvojën e tyre në këtë proces.

Kjo vizitë ishte edhe shtysë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe për planifikimin konkret të proceseve të ardhshme të bashkëpunimit, siç është certifikimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, poashtu edhe auditimet e përbashkëta në aeroportin e Tiranës dhe atë të Prishtinës. Të dyja palët u dakorduan që bashkëpunimi duhet të vazhdojë me intensitet edhe më të lartë, duke kontribuar ndjeshëm në sigurinë e operacioneve ajrore dhe në zhvillimin e aviacionit në të dyja shtetet dhe në rajon, poashtu edhe për ngritjen e kompetencës profesionale për të dyja autoritetet.