Lajme Ditë e veçantë për aviacionin e Kosovës


28/12/2023

Sot është një ditë e veçantë për aviacionin civil të Republikës së Kosovës, pasi që siç ishte lajmëruar më herët edhe nga Ministri i MMPHI-së (Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës) z. Liburn Aliu, pas një procesi të stërzgjatur, përfundimisht janë publikuar, formalizuar dhe janë bërë të planifikueshme për fluturime rrugët ajrore përmes dy pikave të navigimit ARBER dhe KUKAD, në kufi me Shqipërinë. Nga sot këto dy pika (pika udhëzuese / fixes) kanë filluar të shfrytëzohen nga operatorët ajrorë në planet e fluturimeve dhe ato do të përdoren për të koordinuar trafikun komercial ndërmjet ASHNA-s së Kosovës dhe AlbControl-it së Shqipërisë.

Me këtë rast, sot në AAC ishte për një vizitë kurtuazie dhe për të shprehur edhe gëzimin dhe përkrahjen e mëtutjeshme në këtë proces miku i AAC-së dhe i Kosovës Zëvendës Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë z. Matthias Conrad së bashku me bashkëpunëtorin e tij z. Kushtrim Nimani – Zyrtar për Çështje Ekonomike në Ambasadë.

Në këtë takim, UD i Drejtorit të AAC-së z. Alban Ramabaja me bashkëpunëtorë pati kënaqësinë t’i konfirmojë z. Conrad se nga sot fluturimet përmes këtyre rrugëve ajrore janë duke u realizuar me plane të rregullta të fluturimit dhe njëkohësisht i shprehu atij mirënjohjen për kontributin e madh të tij dhe të shtetit gjerman në këtë proces shumë të rëndësishëm për Kosovën.

Z. Conrad u shpreh se vendi i tij, si edhe në shumë procese të tjera, do ta përkrahë edhe më tej Kosovën në procesin e hapjes së rrugëve ajrore me shtetet tjera të rajonit, ku hapi i radhës është hapja e rrugëve ajrore me Malin e Zi.

Palët u pajtuan që të përcjellin zhvillimet në këtë drejtim dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e mëtutjeshëm drejt normalizimit të hapësirës së ulët ajrore të Republikës së Kosovës.