Lajme Burim Dinarama emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së
25/03/2024
Ministri i MMPHI-së z. Liburn Aliu, më 22 mars 2024, emëroi z. Burim Dinarama Ushtrues të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).
Z. Burim Dinarama ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Departamentit të Aerodromeve, në të cilën pozitë është emëruar në shtator të vitit 2011. Z. Dinarama është punësuar në Zyrën Rregullatore të Aviacionit Civil, organin paraardhës të AAC-së së Kosovës, në vitin 2006 dhe ka vazhduar punën në AAC pas themelimit të tij në vitin 2009. Eksperiencën e parë në fushën e aviacionit civil e filloi në vitin 2001 kur deri në vitin 2004 ka qenë përgjegjës për zbatimin e projekteve kryesore të infrastrukturës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Para kësaj kohe ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme në sektorin e ndërtimit, kryesisht në ndërtimin e rrugëve dhe urave, në projekte të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës.
Është bartës i shumë proceseve të rëndësishme në Autoritetin e Aviacionit Civil, siç janë certifikimi i Aeroportit të Prishtinës, certifikimi i ofruesve të shërbimeve në tokë, certifikimi i furnizuesit me karburant, aprovimi i heliportit të parë në Kosovë, etj. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, së bashku me kolegët nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Shqipërisë dhe ai i Republikës së Kosovës, ka udhëhequr certifikimin e Aeroportit të Tiranës, si dhe ka qenë pjesëmarrës në një numër të konsiderueshëm të auditimeve dhe inspektimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Z. Dinarama është i diplomuar si inxhinier i ndërtimit në Universitetin e Prishtinës.