Lajme AAC organizoi provimin për testin e njohurive për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot (dronë) të Kategorisë 4, që kanë të bëjnë me spërkatjen e fushave për agrokulturë
11/05/2026
Në vazhdën e aktiviteteve rregullatore të parapara me legjislacionin në fuqi, më 24 prill 2026, Autoriteti i Aviacionit Civil organizoi provimin për testin e njohurive për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot (dronë) të Kategorisë 4, që kanë të bëjnë me spërkatjen e fushave për agrokulturë.
Këtij provimi iu nënshtruan z. Driton Muharremi dhe z. Kreshnik Muharremi, të cilët e kaluan me sukses këtë test. Me këtë rast, Autoriteti i Aviacionit Civil ndau certifikatat për këtë kategori të sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot, duke iu uruar z. Driton dhe z. Kreshnik Muharremi suksese dhe operime të sigurta në të ardhmen.
Përdorimi i dronëve në sektorin e agrokulturës po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në modernizimin e proceseve bujqësore, veçanërisht në spërkatjen e kulturave bujqësore, monitorimin e sipërfaqeve të mbjella dhe rritjen e efikasitetit në punë. Operimet me dronë për spërkatje mundësojnë aplikim më të saktë, reduktim të kostove operative, kursim të kohës dhe minimizim të ndikimit në mjedis.
Për këtë arsye, trajnimi dhe certifikimi i operatorëve për këtë kategori paraqet një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të sigurt dhe profesional të teknologjisë së avancuar në agrokulturë.
Operimet e sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) rregullohen me Rregulloren (AAC) Nr. 01/2026 për sistemet e mjeteve ajrore pa pilot.


