Lajme Arianit Islami emërohet u.d. Drejtor i Përgjithshëm


14/05/2020

Qeveria e Republikës së Kosovës, më 12 maj 2020, ka emëruar z. Arianit Islami ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.

Arianit Islami është një profesionist më përvojë të gjerë mbi 20 vjeçare në aviacion, të përcjellë me përgatitje të shquar akademike. Prej vitit 1999 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme si zyrtar i lartë në sektorin e aviacionit civil, fillimisht në pozita të ndryshme në industri, e pastaj në anën e rregullatorit ku ka mbajtur edhe pozitën e Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Si ekspert i lëmisë, nga viti 2009 ishte angazhuar si ligjërues i lëndës “Sistemet e Menaxhimet të Sigurisë (SMS)”, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, pastaj edhe si ligjërues në progamin “Advanced Master Safety Management in Aviation” të organizuar nga Universiteti i Aviacionit Civil të Francës (ENAC) . Z. Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit. Aktualisht është kandidat për doktoraturë në Laboratorin e ENAC dhe Universitetin Paul Sabatier në Tulluz, Francë. Z. Islami, gjithashtu ka ndjekur një varg trajnimesh profesionale ne aviacion. Në vitin 2003 ka marrë diplomë me lëvdatë në menaxhimin e shërbimeve të navigacionit ajror dhe diplomë në menaxhimin e aviacionit civil nga Instituti i Aviacionit për Trajnim dhe Zhvillim (IATA) me qendra në Montreal, Gjenevë dhe Singapor. Poashtu është i certifikuar si auditor i sigurisë nga Instituti i EUROCONTROL-it për Shërbime të Navigacionit Ajror si dhe ka përfunduar me sukses të gjitha trajnimet e kërkuara për kryerjen e punëve për të cilat është përgjegjës. Nga viti 2009 është pjesë e ekipit auditues për certifikimin e ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror dhe verifikimin e implementimit të sistemeve të menaxhimit të sigurisë. Në këtë cilësi ka qenë i ftuar të marrë pjesë në auditime edhe në vendet në rajon, përkatësisht në Shqipëri dhe Maqedoni, në kuadër të marrëveshjeve rajonale, si dhe ndërkombëtarisht në Francë dhe Polinezinë Franceze, në kuadër të projektit të binjakëzimit.