Lajme Alban Ramabaja emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës


08/11/2023

Ministri i MMPHI-së z. Liburn Aliu, dje, më 7 nëntor 2023, emëroi z. Alban Ramabaja Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.

Alban Ramabaja është profesionist i fushës, me përvojë mbi 20 vjeçare në aviacion, me përgatitje akademike në inxhinierinë e komunikacionit dhe transportit si dhe kualifikime të shumta profesionale në fushën e aviacionit dhe transportit.

Përvoja e tij në aviacion ka filluar nga viti 2001, në ANP “Adem Jashari” në pozita të ndryshme që lidhen me operimet e aeroplanëve në tokë, dhe si instruktor për disa trajnime profesionale, kurse 6 vitet e fundit, deri në vitin 2013 ishte menaxher i operimeve në platformë dhe shërbimeve për kargo.

Gjatë punës së tij në industrinë e aviacionit, Alban Ramabaja shquhet për angazhimin shumëvjeçar në të gjitha proceset e ndërtimit të strukturave organizative dhe atyre të standardeve e sistemeve të menaxhimit të sigurisë dhe cilësisë në aeroport. 

Më tutje, që nga viti 2013, Alban Ramabaja është angazhuar si Inspektor i Aerodromeve në AAC, dhe vitet e fundit poashtu edhe si Këshilltar për Aviacionin Civil në kabinetin e MMPHI-së, i deleguar nga Autoriteti i Aviacionit Civil sipas Ligjit për Aviacionin Civil, për koordinim ndërinstitucional në proceset dhe projektet specifike të Qeverisë për aviacionin civil.     

Alban Ramabaja ka edhe përvojë ndërkombëtare në fushën e industrisë së aviacionit. Ai kishte rastin të marrë pjesë në Programin për Ekselencën Operacionale në ekipin këshillëdhënës për kompaninë “Saudi Ground Services – SGS” në Aeroportin Ndërkombëtar të Riadit, në Arabinë Saudite. Angazhimi i tij ka qenë kryesisht në analizimin dhe studimin e sistemeve operacionale dhe të sigurisë, si dhe proceseve të ndryshme të aeroportit për ofrimin e shërbimeve në tokë për aeroplanët, zhvillimin dhe përmirësimin e tyre, e poashtu edhe në Master Projektin e aeroporti të ri, në fushën e planifikimit të infrastrukturës së këtij aeroporti.

Z. Ramabaja iu dorëzua detyra nga kolegu z. Arianit Islami, i cili e uroi për rolin e ri dhe i ofroi përkrahje dhe bashkëpunim në të gjitha sfidat dhe proceset që e presin këtë institucion.