Lajme AAC-ja regjistron fushën e parë ajrore në Republikën e Kosovës
14/06/2024
Sot ishte një ditë shumë e veçantë në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës, ku UD i Drejtorit të Përgjithshëm i AAC-së, z. Burim Dinarama, bashkë me kolegët e tij, patën kënaqësinë t’ua dorëzojnë shkresën e Regjistrimit të Aerodromit për “Fusha Ajrore Malisheva”, e cila gjendet në fshatin Banjë në Komunën e Malishevës, pilotëve kosovarë Armir Qorrolli dhe Alushan Bajrami, të cilët me përkrahjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të Komunës së Malishevës, të AAC-së dhe institucioneve të tjera si ASHNA dhe KFOR-i kanë punuar në përgatitjen për fluturim të kësaj fushe ajrore prej disa muajsh.
Në këtë fushë ajrore, ditën e nesërme, më 15.06.2024, pilotët në fjalë do të realizojnë një fluturim promovues me dy aeroplanë të huazuar nga Aeroklubi i Shkupit (Aeroclub Skopje) nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky organizim ka për qëllim promovimin e fluturimeve të përgjithshme (gjenerale) dhe sensibilizimin e funksionalizimit të fushave ajrore të Kosovës për shfrytëzim nga dashamirët e aviacionit dhe kadetët e fluturimit, fusha të cilat kanë mbetur të pafunksionalizuara që nga paslufta e deri më tani.
Aterrimi i dy aeroplanëve do të realizohet në ora 10:00 paradite nga ANP Adem Jashari, ndërsa kthimi pas 2 orësh. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë zyrtarë dhe dashamirë të aviacionit për ta parë këtë fluturim nga afër, duke pasur parasysh se shënon një ditë të veçantë ku për herë të parë pas çlirimit të Kosovës po funksionalizohet dhe regjistrohet nga AAC-ja një fushë ajrore, në të cilën do të realizohet një fluturim i aviacionit të përgjithshëm, me shpresën se do të hapë një etapë të re për zhvillimin e kësaj fushe të aviacionit në Republikën e Kosovës.