Lajme AAC formalizon nënshkrimin e dy Marrëveshjeve të Punës me EASA-n
14/08/2026

Prishtinë, 14 gusht 2026 – Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) ka formalizuar sot nënshkrimin e dy Marrëveshjeve të Punës me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA), duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit teknik dhe institucional në fushën e aviacionit civil.
Marrëveshjet janë nënshkruar më 3 gusht 2026 nga Drejtori Ekzekutiv i EASA-s, z. Florian Guillermet, dhe sot, më 14 gusht 2026, nga U.D. Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, z. Arianit Islami. Formalizimi u bë në prezencë të Ministrit të Infrastrukturës dhe përfaqësuesve të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këto marrëveshje krijojnë mundësi për bashkëpunim dhe angazhim më të drejtpërdrejtë me EASA-n, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës profesionale, si dhe mbështetje teknike në fusha të ndryshme të sigurisë dhe rregullimit të aviacionit civil.
Për AAC-në, ky bashkëpunim nënkupton forcim të mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe institucionale dhe zbatim edhe më efektiv të standardeve evropiane të sigurisë së aviacionit.
Njëkohësisht, forcimi i sigurisë së aviacionit në Kosovë kontribuon në sigurinë e aviacionit evropian në tërësi, duke e bërë Kosovën pjesë edhe më të integruar të sistemit evropian të aviacionit.
AAC shpreh mirënjohjen për EASA-n, Komisionin Evropian, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.



