Lajme Ambasadorja e Francës vizitoi AAC-në


15/06/2020

Sot, më 15 qershor 2020, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, z. Arianit Islami, ka pritur në një takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel.

Islami falënderoi Ambasadoren për këtë vizitë dhe mbështetjen e Francës për ndërtimin e kapaciteteve të rregullatorit të aviacionit civil në Kosovë nga periudha e pasluftës e deri më sot. Në të vërtetë, ekspertët francezë të aviacionit hapën njësinë e parë rregullatore të aviacionit civil pas vitit 1999 dhe ndihmuan në ndërtimin e kapaciteteve lokale që nuk ekzistonin në atë kohë. Për më tepër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Francës (DGAC), në kuadër të një projekti binjakëzimi të financuar nga BE-ja, mbështeti me trajnime dhe ekspertizë Autoritetin kosovar të Aviacionit Civil dhe institucione të tjera përgjegjëse publike në aviacionin civil. Përtej këtij projekti dy-vjeçar DGAC vazhdoi të mbështesë AAC-në e Kosovës deri më sot me shkëmbime të ekspertizave dhe trajnime akademike dhe profesionale, të siguruara në veçanti në Universitetin Francez të Aviacionit Civil (Ecole Nationale de l’Aviation Civile – ENAC) në Tuluzë.

SH.S. znj. Butel uroi z. Islami për postin e tij të ri dhe përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer midis autoriteteve franceze dhe kosovare të aviacionit civil. Ajo përsëriti mbështetjen e Francës për pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare të aviacionit civil.

Gjatë takimit z. Islami e njoftoi Ambasadoren për përgatitjet që AAC-ja dhe institucionet e tjera, përfshirë Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, dhe operatorin e aeroportit kanë bërë që të rifillojnë operimet ajrore komerciale posa të hiqen kufizimet për transportin ajror të vendosur në mars për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kufizimeve të BE-së, të vendosur për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

SH.S. znj. Butel dhe z. Islami ranë dakord që miqësia midis shteteve meriton krijimin e lidhjeve të rregullta dhe të qëndrueshme ajrore ndërmjet Kosovës dhe Francës.