Lajme Certifikimi i operatorëve të dronëve për operime gjeodezike – Kategoria (4)
11/11/2026
Në kuadër të aktiviteteve rregullatore të parapara me legjislacionin në fuqi, më 4 nëntor 2026, Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) organizoi provimin për testimin e njohurive për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot (dronët), për Kategorinë (4), për operime në fushën e gjeodezisë, me dronin Trinity F90+.
Provimit iu nënshtruan z. Ajet Gashi dhe z. Endrit Zeqiri, të cilët e kaluan me sukses testin e njohurive. Me këtë rast, Autoriteti i Aviacionit Civil ndau certifikatat përkatëse për Kategorinë (4), duke i uruar për suksesin dhe duke u dëshiruar operime të sigurta në të ardhmen.
Trinity F90+ është një mjet ajror pa pilot me krahë fiks, i projektuar për misione të hartografimit dhe rilevimit ajror. Në fushën e gjeodezisë, ai përdoret për realizimin e fluturimeve fotogrametrike dhe mbledhjen e imazheve ajrore, të cilat përpunohen për krijimin e ortofotove dhe produkteve të tjera gjeohapësinore. Këto të dhëna shërbejnë për matje, hartografim, planifikim dhe dokumentim të terrenit.
Përdorimi i kësaj teknologjie mundëson mbledhjen efikase të të dhënave në terren dhe kontribuon në modernizimin e proceseve të punës në sektorin e gjeodezisë.
Trajnimi dhe certifikimi i operatorëve për këtë kategori paraqet një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të sigurt dhe profesional të sistemeve të mjeteve ajrore pa pilot.
Operimet me Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot (dronët) në Republikën e Kosovës rregullohen me Rregulloren (AAC) Nr. 01/2026 për Sistemet e Mjeteve Ajrore pa Pilot.




