Lajme ANP “Adem Jashari” shërben mbi 4.6 milion udhëtarë në vitin 2025, rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024


20/01/2026

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 4,600,484 udhëtarë gjatë vitit 2025, sipas statistikave të mbledhura nga operatori i aeroportit (LKIA). Ky rezultat përfaqëson një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024, kur numri i udhëtarëve ishte 4,082,481.

Gjatë vitit 2025 janë realizuar 14,981 nisje fluturimesh, që përbën një rritje prej 10% në krahasim me vitin paraprak. Muajt me numrin më të lartë të fluturimeve kanë qenë gushti dhe korriku, me përkatësisht 1,601 dhe 1,557 nisje fluturimesh. Ndërkohë, muaji shkurt, si zakonisht, ka regjistruar numrin më të ulët të fluturimeve, me 960 nisje.

Sa i përket trafikut të udhëtarëve, gushti ka qenë muaji me numrin më të lartë, me gjithsej 513,708 udhëtarë, i pasuar nga korriku me 458,348 udhëtarë. Trafiku më i ulët është shënuar në shkurt me 307,418 udhëtarë, pasuar nga muaji mars me 320,183 udhëtarë.

Edhe gjatë vitit 2025, destinacionet me numrin më të madh të udhëtarëve që kanë udhëtuar nga ose drejt Prishtinës kanë qenë Bazeli (BSL/MLH), Cyrihu dhe Dyseldorfi. Sipas shteteve, trafiku më i lartë është realizuar me Gjermaninë, e pasuar nga Zvicra, Turqia, Austria dhe Britania e Madhe.

Nga aspekti i operatorëve ajrorë, GP Aviation kryeson me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e ndjekur nga easyJet, Chair Airlines, Pegasus Airlines, Eurowings, Edelweiss, dhe kompani të tjera.

Sa i përket destinacioneve ndërkontinentale dhe lidhjeve të mëtejme nga Prishtina, në krye renditen Nju Jorku (JFK), i pasuar nga Newark (New Jersey), Frankfurti, Çikago (O’Hare), dhe destinacione të tjera. Grafet dhe statistikat e plota të trafikut ajror për vitin 2025 mund t’i gjeni këtu.