Lajme Drejtuesit e AAC-së dhe LKIA-së takohen për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinim mbi sigurinë


21/11/2025

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, z. Arianit Islami, së bashku me bashkëpunëtorë, më 20 nëntor 2025 priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” LKIA, z. Gokhan Acikgoz, si dhe Drejtorin e Operimeve, z. Levent Kaylak. Përfaqësuesit e aeroportit e uruan z. Islami me rastin e emërimit si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.

Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh të përbashkëta që lidhen me sigurinë e operimeve, projektet infrastrukturore dhe planet për akomodimin e numrit gjithnjë në rritje të udhëtarëve, si dhe interesimin e shtuar të kompanive ajrore për rritjen e frekuencave apo hapjen e linjave të reja.
Palët u pajtuan se bashkëpunimi i ngushtë profesional ndërmjet operatorit të aeroportit dhe AAC-së, si rregullator kombëtar i aviacionit, është kyç për tejkalimin e sfidave, përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në vazhdimësi në avancim, si dhe për plotësimin e kërkesave të udhëtarëve për transport ajror të sigurt dhe efikas nga dhe drejt Republikës së Kosovës.