Lajme U mbajt takimi i 4 të i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes HPEA
20/10/2025

Më 15 tetor 2025 në Shkup u mbajt takimi i katërt i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (Marrëveshja HPEA).
Në takim morën pjesë palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje: Komisioni Evropian përfshi EASA-n, përfaqësues nga shtete anëtare të BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Republika e Kosovës u përfaqësua nga përfaqësues të autoriteteve aeronautike të udhëhequr nga UD DP i AAC-së, Arianit Islami.
Komisioni Evropian ka prezantuar trendin e vazhdueshëm të rritjes së trafikut midis BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ka shpërndarë për komente draft Shtojcën I të Marrëveshjes HPEA e cila liston kërkesat e reja legjislative për adoptim nga palët e asociuara. 20,2 milion udhëtarë kanë qarkulluar midis BE dhe Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2024 që është 18% më shumë se gjatë vitit 2023 kur ishin shënuar 17 milion udhëtarë në këtë treg. Kosova renditet e treta si kontribuese me më së shumti rritje në krahasim me vitin e kaluar pas Shqipërisë që renditet e para dhe Serbisë.
Gjatë fjalimit të tij, z. Islami ka theksuar trajtimin jo të barabartë të Kosovës në krahasim me palët e tjera sa i përket të drejtave që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ka kërkuar që Komisioni Evropian të angazhohet që autoritetet aeronautike të Kosovës të përfshihen sa më parë në forumet relevante në EASA (Agjencia Evropiane e Sigurisë Ajrore), EUROCONTROL (Organizata ndërkombëtare për sigurinë e navigacionit ajror), RASARAC (Komiteti Këshillues Rajonal për Kërkim Shpëtim) etj. për të siguruar një hapësirë ajrore të përbashkët evropiane të sigurtë e efikase.
Më 16 tetor 2025 është mbajtur takimi bilateral midis KE-së dhe delegacionit të Republikës së Kosovës me ç ‘rast znj. Besnike Ukmata, Pikë fokale e KE për RKS, ka prezantuar në mënyrë gjithëpërfshirëse zhvillimet në sektorin e aviacionit civil në Kosovë midis dy takimeve të Komitetit të përbashkët, nivelin e zbatimit të Marrëveshjes HPEA si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë në fushën e aviacionit civil. Znj. Ukmata tregoi se përderisa në Kosovë në mënyrë progresive po zbatohet legjislacioni që është obligim nga Faza II e Marrëveshjes, dy çështje të identifikuara nga KE për të përmbyllur Fazën e parë janë ende të hapura, përmirësimi i të cilave është përfshirë në dy ligje, të punës dhe atij të aviacionit civil, të dyja në plotësim ndryshim e sipër.
Z. Gzim Ocakoglu i KE/Drejtoria për Marrëveshjet e aviacionit, i cili ka udhëhequr takimin plenar dhe bilateral ka njoftuar delegacionin kosovar se KE ka kërkuar nga EASA që të fillojë procedurat për lidhjen e Aranzhimeve të Punës me AAC-në e Kosovës, siç i ka me shtetet tjera HPEA. Përfaqësuesja e EASA, prezente në takim tregoi se në bazë të procedurave në EASA, vitin tjetër pritet nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje. Është premtuar edhe angazhimi rreth çështjes së EUROCONTROL duke e vlerësuar si çështje sigurie nevojën që Ofruesi i shërbimeve të navigacionit ajror të RKS të ketë relacione direkte operacionale-teknike me këtë organizatë respektivisht me Menaxherin e Rrjetit brenda saj.
Asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka arritur të kalojë në Fazën II të Marrëveshjes kryesisht për shkak të kërkesave legjislative jo-aeronautike që janë pjesë e Shtojcës I për ç ‘arsye edhe u dakordua që Komisioni Evropian të bëj një plan veprimi që do të përfshij kërkesat që duhet përmbushur për të kaluar në Fazën II të Marrëveshjes.
Takimi i ardhshëm i Komitetit mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri.



