Lajme ANP “Adem Jashari” ka shërbyer më shumë se 4 milion udhëtarë gjatë vitit 2024, 19% më shumë se në vitin 2023


24/01/2025

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer 4,082,481 udhëtarë në vitin 2024 sipas statistikave të mbledhura nga operatori i aeroportit (LKIA). Ky numër udhëtarësh është 19% më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2023 (3,424,883).

Gjatë vitit 2024 janë realizuar 13,518 nisje fluturimesh, apo 16% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1,520 dhe 1,479 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji shkurt si zakonisht kishte më së paku nisje fluturimesh, 823.

Muaji gusht ka pasur numrin më të lartë të udhëtarëve me gjithsej 448,507 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik me 419,578 udhëtarë, ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajit  shkurt me 265,758 udhëtarë, pasuar nga muaji mars me 287,260 udhëtarë.

Si edhe gjatë vitit 2023, më së shumti udhëtarë gjatë vitit 2024 kanë shkuar/ardhur nga Bazeli (BSL/MLH), Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Gjermania është e para e pasuar nga Zvicra, Turqia, Austria dhe Britania e madhe. Prej kompanive ajrore, prin GP Aviation me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Chair Airlines, Easyjet, Eurowings, Condor Airlines, Pegasus Airlines e kështu me radhë.

Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Frankfurti, Nju Xhersi (Newark International), Çikago (O’Hare) e kështu me radhë.Grafet me statistikat e plota të trafikut ajror gjatë vitit 2024 mund t’i gjeni këtu.