Lajme U mbajt takimi i 3-të i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes ECAA


21/06/2024

Më 19 qershor 2024 në Podgoricë u mbajt takimi i tretë i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (Marrëveshja ECAA).

Në takim morën pjesë palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje: Komisioni Evropian, përfaqësues nga shtete anëtare të BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrës kishte edhe nga industria e aviacionit. Republika e Kosovës u përfaqësua nga përfaqësues të autoriteteve aeronautike të udhëhequr nga UD DP i AAC-së, z. Burim Dinarama.

Komisioni Evropian ka prezantuar trendin e vazhdueshëm të rritjes së trafikut midis BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ka shpërndarë për komente draft Shtojcën I të Marrëveshjes ECAA e cila liston kërkesat e reja legjislative për adoptim nga palët e asociuara.

Seancës plenare të Komitetit të Përbashkët i ka paraprirë takimi midis Drejtorëve të përgjithshëm dhe z. Filip Cornelis i cili mban pozitën e Drejtorit për Aviacion në Drejtorinë për Mobilitet të KE-së në të cilën palët e asociuara kanë debatuar me KE mbi statusin e tyre karshi Marrëveshjes respektivisht që të mos trajtohen si vende të treta ndërsa z. Dinarama ka theksuar edhe trajtimin jo-të barabartë të Kosovës karshi palëve tjera sa i përket të drejtave që rrjedhin nga Marrëveshja.

Më 20 qershor 2024 është mbajtur takimi bilateral midis KE-së dhe delegacionit të Republikës së Kosovës me ç’rast z. Dinarama ka prezantuar në mënyrë gjithpërfshirëse zhvillimet në sektorin e aviacionit civil në Kosovë, nivelin e zbatimit të Marrëveshjes ECAA si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë kryesisht të ndërlidhura me mos-anëtarësimin apo mungesën e relacioneve me organizatat regjionale dhe ndërkombëtare të aviacionit civil.

Si nga z. Cornelis ashtu edhe nga z. Gzim Ocakoglu i KE/Drejtoria për Marrëveshjet e aviacionit, i cili ka udhëhequr takimin plenar dhe bilateral janë pranuar konfirmime se do t’i kenë parasysh të gjitha sfidat e ngritura nga Kosova dhe se do t’i trajtojnë me prioritet. Poashtu u konfirmua gatishmëria e tyre që të mbështesin Kosovën me asistencë teknike.

Sa i përket përmbylljes së Fazës I, Kosova ka deklaruar se dy çështjet e mbetura do të trajtohen së shpejti përmes plotësim ndryshimit të Ligjit për aviacionin civil si dhe përmes Ligjit të punës, të dyja këto ligje të përfshira në Agjendën Legjislative 2024 të Qeverisë. Sidoqoftë, Republika e Kosovës në mënyrë progresive ka vazhduar transponimin e kërkesave legjislative nga Faza II në të gjitha fushat e aviacionit.

Asnjë palë e asociuar e Marrëveshjes nuk ka arritur të kalojë në Fazën II kryesisht për shkak të kërkesave legjislative jo-aeronautike që janë pjesë e Shtojcës I.

Takimi i ardhshëm i Komitetit mbahet vitin e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut.