Lajme Hapen korridoret ajrore Kosovë – Shqipëri
28/12/2023
Përmes një postimi në Facebook, në orët e para të së enjtes, ai ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta.
“Nga 1 janari, bashkëatdhetarët, përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka thënë Aliu.
Ai i është referuar liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që hyn në fuqi prej 1 janarit të vitit 2024.
Qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, që nuk kanë mundur të lëvizin pa viza në zonën për lëvizje të lirë, Schengen.
Albion Idrizi, magjistër i aviacionit, ka thënë muaj më parë për Radion Evrtopa e Lirë, se pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit, do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave.
Aktualisht, sipas tij, çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.
Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit.
Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta. / REL – https://www.evropaelire.org/a/hapen-korridoret-ajrore-kosove-shqiperi/32750406.html