Lajme Bashkëpunimi ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe Agjencisë së Aviacionit Civil të Maqedonisë së Veriut


14/12/2023

Më 12 dhjetor 2023, në mbështetje të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe të Agjencisë së Aviacionit Civil të Maqedonisë së Veriut, inspektorët e Departamenti të Aerodromeve në bashkëpunim me homologët e tyre nga AAC-ja e Maqedonisë së Veriut realizuan një inspektim në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Inspektimi kishte të bënte me procedurat lidhur me mbrojtjen nga ngricat dhe shkrirjen e akullit nga aeroplanët (anti-icing & de-icing) si dhe me mirëmbajtjen dimërore të pistës dhe infrastrukturës aeroportuale. Në atmosferë pune, u shkëmbyen përvojat në mes të dy autoriteteve si dhe me stafin operativ të aeroportit, si dhe u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në këtë dhe në fushat tjera të sigurisë në aviacionit.

Me këtë rast, edhe U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së z. Alban Ramabaja, së bashku me bashkëpunëtorë, realizoi një vizitë pune në Agjencinë e Aviacionit Civil të Maqedonisë së Veriut, në Shkup, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj Agjencie z. Miroslav Tuntev, së bashku me bashkëpunëtorë, dhe më pas u takuan edhe me ekipet e inspektorëve, ku u diskutua për mbarëvajtjen e inspektimit si dhe për planet për bashkëpunim të mëtutjeshëm. 

Në takim, përfaqësuesit e dy ekipeve shkëmbyen përvoja dhe pikëpamje për një numër të madh çështjesh dhe aktivitetesh të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, në kuadër të organizatave dhe shoqatave të aviacionit civil, ku z. Tuntev shprehu gatishmërinë e tij për të përkrahur AACK-në në të gjitha proceset në lidhje me aviacionin civil.

Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të dy bashkëbiseduesit shprehen nevojën për vazhdimin e nivelit të bashkëpunimit të shkëlqyer që tanimë kemi në shkëmbimin e përvojave të të dyja palëve në të gjitha fushat e veprimtarisë së AAC-ve.